AKR sot perforcohet me njeriun qe dikur e paditi kete parti(FOTO)

Gëzim Mehmeti dikur ishte sekretar për marrëdhënie me jashtë në AKR. Por e paditi partinë e vet, dhe përmes një letre dha arsyet e dorëheqjes duke thënë se partia nuk po funksionon.

Në realitet Mehmeti po kërkonte pagat, që sipas tij, nuk ia kishte dhënë partia. Tash Mehmeti sërish është rikthyer në AKR.
Ish-sekretar i AKR-së për marrëdhënie me jashtë, Gëzim Mehmeti, ishte dorëhequr nga kjo parti në vitin 2013 me arsyen se nuk është duke funksionuar partia.

Ai përmes një letre publike kishte bërë të ditura arsyet, e në mes tjerash kishte thënë se partia nuk po funksiononte.

“Jap dorëheqje nga anëtarësia e AKR-së, anëtarit të Këshillit Drejtues, anëtarit të Kryesisë së AKR-së dhe funksionit të Sekretarit për Marrëdhënie me jashtë. Shqetësimet dhe kritikat nga ana ime të paraqitura si para organeve partiake dhe opinionit publik, janë tashmë të njohura. Megjithatë shpresoj dhe dëshiroj që në të ardhmen struktura e AKR-së të forcohet, të respektohen organet partiake dhe të zhvillohet demokracia partiake”, thuhej në letrën e Mehmetit.

Por Mehmeti një vit më herët e kishte një tjetër preokupim. Më 2012 Mehmeti po kërkonte pagën nga AKR-ja dhe jo reformim dhe forcim të strukturave.

Lajmi.net ka siguruar një padi ku Mehmeti kishte bërë ndaj AKR-së me arsyen se nuk i janë kryer obligimet financiare në kontratën që e kishte pasur.

Gëzim Mehmeti dhe Selim Pacolli

Por Mehmeti që dikur akuzonte këtë parti, dhe e kishte paditur, tash është kthyer sërish për ta ‘ndihmuar’.

Mehmeti profilin e tij në Facebook e ka përplot me aktivitetet të kandidatit të AKR-së, Selim Pacolli, që garoi për të partin e Prishtinës.

Një zyrtar i AKR-së i ka thënë lajmi.net se “Mehmeti po shpreson ta marrë ndonjë post në Komunën e Prishtinës”.

“Dikur fliste zi e terr për AKR-në dhe e kishte paditur, tash është rikthyer me idenë se do të fitojë ndonjë post në Komunën e Prishtinës”.

“Ai e kishte paditur partinë, sepse nuk pranonte të punonte pa pagesë asnjë ditë. Atë padi e kishte përdorur si shantazh dhe tash është duke pritur që partia ta shpërlej sërish”, ka thënë një zyrtar i AKR-së.

Na padinë që e kishte bërë Mehmeti specifikohet se arsyeja është “mospërmbushja e kontratës mbi themelimin e punës”.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim në favor të Mehmetit dhe AKR-ja ku kishte “kërkuar nga punëdhënësi pagesën e 12 pagave”.

Mehmetit AKR-ja ia kishte shkëputur kontratën më 01.03.2011, ku paraprakisht ia kishte lëshuar dy vërejtje me shkrim për mos respektim të orarit të punës. Pas dy vërejtjeve Ibrahim Makolli, që ishte Ushtrues Detyre i kryetarit të AKR-së ia kishte shkëputur kontratën.

Lajmi.net ka provuar të flas me Mehmetin, por ai nuk është lajmëruar në numrin që e ka pasur dikur publik për media sa ishte sekretar për marrëdhënie me jashtë në AKR.