Adem Grabovci: Ja sa do të ketë jetëgjatësi Qeveria Haradinaj! Flet edhe për PDK-në

  29 Oct 2017

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, konsideron se PDK-ja vazhdon të mbetët forca e parë politike në vend dhe me një elektorat stabil, pavarësisht ndërrimit të lidershipit të saj.

Kjo pasi që sipas Grabovcit, ka qenë orientimi properëdimor dhe fuqia e konceptit politik që sipas tij e ka PDK-ja, ka ndikuar në sjelljen e një rezultati pozitiv në zgjedhjet e 22 tetorit.

Ish-shefi i GP të PDK-së, këto komente i bëri gjatë një interviste ku u deklarua edhe lidhur me mënyrën e funksionimit të Qeverisë Haradinaj, për çka tha me optimizëm se pret shumë pune nga ajo.

Grabovci, në këtë intervistë tregoi nëse i është propozuar ndonjë postë në qeverinë Haradinaj, si dhe sakrificën siç u shpreh ai që e bëri Kadri Veseli, duke ia liruar postin e Kryeministrit.


Më poshtë e gjeni intervistën e poltë:

Si e shihni PDK-në dhe rezultatin e saj në zgjedhjet e 22 tetorit?

Grabovci: Zgjedhjet e 22 tetorit treguan edhe një herë qartë se PDK-ja është forca më e qëndrushme politike me një elektorat më stabil në vend. Orientimi properëndimor dhe prosperues i PDK-së, fuqia e konceptit politik dhe profili i kandidatëve që angazhohen në çuarjen përpara të proceseve të përgjithshme zhvillimore të vendit, kanë sjellur këtë rezultat që tashmë është i njohur për të gjithë.

Disa analistë politikë, koalicioni PAN e ka dëmtuar më së shumti PDK-në, pasi që janë ndarë numrat dhe kanë munguar shumë figura në listat në zgjedhjet nacionale. Cila është e vërteta e saj?

Grabovci: Konsideroj se koalicioni PAN, si i tillë, ka ndikuar tek të gjitha partitë veç e veç. Kjo u pa edhe në rezultatin zgjedhor më 22 tetor. Fakti që PDK postin e kryeministrit sërish ia dha një force tjetër politike dhe për këtë elektorati i PDK-së as nuk ishte i përgatitur sa duhet dhe as i pajtimit tërësisht, bëri që një pjesë e mbështetësve, madje edhe nga ata më tradicionalët, të mos jenë pjesë e fitorës e as e votës për PAN-in.
Në anën tjetër, PDK, përmes aktit të krijimit të PAN-it dhe dhënies së postit të kryeministrit AAK-së, rikonfirmojë edhe një herë konceptin dhe përcaktimin e vet politik të vënies në radhë të parë, pra mbi gjithçka, të interesit politik shtetëror të vendit dhe jo atij partiak. Ky koncept nuk është edhe aq simpatik dhe i lehtë për t’u kuptuar, posaçërisht në vendin tonë ku elektorati orientohet ekstremisht nga forcat politike për të pasë në fokusin qendror partinë. Nuk do të kalojë shumë kohë dhe edhe në Kosovë vendimet e tilla politike do të gjykohen dhe kuptohen drejtë, do të çmohen meritueshëm nga ana e qytetarëve. Në këtë jam shumë optimist.

 A keni marrë gjerë më tani ndonjë ofertë për ndonjë post qeveritar?

GrabovciGjatë angazhimit tim politik e kombëtar për rreth 37-38 vite, asnjëherë nuk jam prirur nga synimet pushtetore. Asnjëherë nuk më kanë bërë përshtypje postet e as privilegjet. Çdoherë kam qenë i fokusuar në atë se cili është interesi i vendit dhe i qytetarëve. Kam qenë, jam dhe do të mbetëm në shërbim të vendit dhe të ardhmës gjithnjë më dinjitoze të qytetarëve të tij. Ky ka qenë parimi im edhe në kohën kur isha nxënës i shkollës së mesme me angazhimet politike; në kohën e burgosjes; pajtimit të gjaqeve; lëvizjes politike të fillimviteve të ’90-ta; kohë e veprimtarisë politike ilegale; luftës çlirimtare të UÇK-së dhe shtetkrijimit dhe shtetndërtimit. Në asnjë rast nuk jam lëkundur nga ky parim. Do të mbetem përjetësisht i tillë.

Sa besoni që kjo qeveri mund t’i dërgojë proceset e rëndësishme të vendit përpara?

Grabovci: Ekipi qeverisës i cili ka në vete guxim, vullnet dhe dije, padyshim se do jetë i suksesshëm. Unë besoj se kjo qeveri i ka këto tipare. Dhe, shpresoj se kjo qeveri do të komponoj së bashku dijën të cilën e ka, guximin që nuk i mungon dhe vullnetin, i cili siç po duket eziston. Në një konstelacion të tillë, do të kishim një qeverisje që do t’i dërgonte proceset tutje. Duhet dhënë kohë që të mund të vlerësojmë më drejtë punën dhe sukseset e kësaj qeverisje. Kemi edhe shumë punë për të bërë deri në arritjen e synimeve tona.

T’u kthehemi edhe një herë zgjedhjeve lokale, konkretisht balotazhit që kemi përpara. Cilin kandidatë do ta mbështet PDK në Prishtinë, Ahmetin e VV-së apo Abrashin e LDK-së?

Gazeta Blic: Mendimi im është që PDK në këtë rast, anipse nuk garon në balatozh për Prishtinën, ndodhet para sfidës së përcaktimit për interesin e vendit apo kryekëput atë partiak. E thash sfidë duke pasë parasysh rrethanat aktuale dhe kulturën politike të spektrit tanë politikë. Në rrethana normale, posaçërisht kur duam të flasim bukur apo të luajmë rol demagogjik, çdokush do të deklaronte përcaktimin për interesin e vendit. Porse jemi dëshmitar që, për fat të keq, veç PDK-së, forcat tjera politike asnjëherë gjerë më tani nuk e kanë dëshmuar në praktikë një orientim të tillë.

Ju lutem të na e konkretizoni paksa këtë pikëpamje tuaj përkitazi me interesin partik dhe atë shtetëror.

Grabovci: Nisur nga logjika e konkurrencës, asnjë parti nuk e mirëpret fuqizimin e tjetrës. Në rastin e Prishtinës, PDK-së dhe elektoratit të saj i duhet të zgjedhë ose fuqizimin e një subjekti tjetër, e më të edhe të shtetit, ose vetëm fuqizimin e një subjekti. Në rastin e parë, edhe nëse nuk fuqizohet shteti, nuk mund të dëmtohet seriozisht si në rastin e dytë.

Kush mendoni se janë dëmtuesit?

Grabovci: Janë krejtësisht të dëshmuar dhe mirë të njohur për opinionin. Pasqyrë dhe dëshmi e keni edhe rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të 22 tetorit.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.