Abrashi: Ma lëshoi telefonin bateria se e kisha sos Shpendin

  14 Nov 2017

Me kokën ulur e sytë direkt në ekranin e telefonit e filloi debatin kundër Shpend Ahmetit në Klan Kosova. Por, fati duket të mos ketë qenë në anën e tij.

Arban Abrashi filloi debatin duke lexuar sugjerime nga miqtë e partisë që i vinin në telefon. Por, ai kishte një gabim paraprak. Më herët nuk e kishte karikuar mjaftueshëm telefonin, dhe më të hyrë në emision ka parë se bateria në telefonin e tij ishte 27%.

Ndërsa, debati i moderuar nga Baton Haxhiu me kohëzgjatje prej dy orësh, kërkonte trefish më shumë bateri, që Arban Abrashi të mund të informohej sa duhej përmes telefonit e që të kishte sadopak material për debatin e Prishtinës, kundër Ahmetit nga VV.

Dhe si rrjedhojë, ende pa përfunduar pjesa e parë e debatit, bateria e telefonit të Abrashit mbaron dhe telefoni i tij fiket. Nga aty e tutje, kandidati i LDK’së më nuk e dinte se ç’fliste. Madje në një moment, e pranoi edhe vetë se kishte ardhur i papërgatitur.

Megjithatë, pas emisionit, Abrashi ka thënë se nuk ndihet humbës e as i zhgënjyer. Bile ai nuk ka lënë pa përmendur edhe fatkeqësinë me telefonin.

“Ma lëshoi telefonin bateria se e kisha sos Shpendin. Në debatin tjetër do ta mbushi telefonin paraprakisht ose do ta marrë power bank’in me vete, e masnej e shihni kush është Arbani”, ka thënë Arban Abrashi.

Deri në ditën e fundit të fushatës, janë të parapara edhe 4 debate mes dy kandidatëve që garojnë në balotazhin e 19 nëntorit për ta qeverisur Prishtinën. Sa i përket debatit të mbrëmshëm, humbja e Abrashit ishte aq e dukshme dhe e padiskutuesjme, saqë e pranoi edhe Berat Buzhala.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.