Abazi: Ky është qëllimi i themelimit të Vetëvendosjes në Shqipëri

Abazi: Ky është qëllimi i themelimit të Vetëvendosjes në Shqipëri

  08 Apr 2019

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë synon ta shtrijë aktivitetin e saj edhe në Shqipëri, përmes Qendrës së Vetëvendosjes në Tiranë.

Boiken Abazi, i mandatuar për ngritjen e kësaj qendre, në një intervistë për Top Channel thotë se i janë drejtuar gjykatës për t’u regjistruar. Në intervistë ai ka sqaruar se si erdhi vendimi për themelimin e kësaj Qendre.

“Kemi pasur kërkesa të shumta këto kohë. Kërkesat e shtuara nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë për të shtrirë aktivitetin e Vetëvendosjes edhe këtu. Kemi menduar se ka ardhur koha që të kemi një aktivitet më dinamik, më të shtuar, pasi nuk është hera e parë që ne zhvillojmë aktivitet në Shqipëri, duke parë edhe modelet e ndryshme që ne mendojmë se janë të mira, jo vetëm në Kosovë, por edhe për kombin shqiptar, si për shembull modeli i shtetit zhvillimor, ekonomi e bazuar në prodhim, natyrisht edhe synimit tonë kryesor që është e drejta e vetëvendosjes për popullin shqiptar për bashkim kombëtar”, tha Boiken Abazi, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai thotë se nuk synojnë të transformohen shpejt në një subjekt politik në Shqipëri.

“Ne synojmë të jemi aktivë përmes shoqërisë civile, duke krijuar ura bashkëpunimi në Shqipëri me atë në Kosovë, e më gjerë edhe rajon ku janë shqiptarët, si dhe me institucionet dhe subjektet shqiptare. Synojmë të kemi qasje në komisionet parlamentare, duke shtruar pyetje dhe të interesohemi për çështje që po prekin Kosovën drejtpërdrejt në vendimet që merren këtu, pasi janë duke ndikuar më gjerë edhe në Ballkan”, ka thënë Abazi.

“Ne nuk jemi pozicionuar në raport me përplasjen pozitë-opozitë që po ndodh në Shqipëri”, thotë më tej Boiken Abazi. “Synojmë që për tema madhore që prekin kombin shqiptar të bashkëpunojmë me të dyja”, shton më tej.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.