A po thyhen përfundimisht Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj?! Flet Tahiri
Analisti politik, Ramush Tahiri ka folur për përplasjen në mes presidentit Thaçi e kryeministrit Haradinaj për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, raporton Gazeta Blic.
Tahiri ka komentuar deklaratën e sotme të presidentit Hashim Thaçi i cili tha se individë dhe grupe të caktuara po bëjnë trillime të cilat mund t’i mbajnë qytetarët e vendit të izoluar, për cështjen e Demarkacionit .
Sipas Tahirit, Thaçi e ka të qartë se për kë e ka fjalën, pra për veprimet e opozitës dhe të atyre tash në pozitë.
Thaçi dëshiron të qëndrojë në distancë duke mbajtur qëndrimin e njëjtë që Demarkacioni duhet të kalojë dhe qytetarët të lëvizin lirshëm në vendet e Evropës, ka thënë Tahiri.
“Duket që Presidenti Thaçi e ka të qartë, se në kënd e vnon gishtin kur fletë për individë dhe grupe të caktuara që si thotë bëjnë trillime dhe i mbajnë qytetarët të izoluar, pra pa liberalizim të vizave.
E ka fjalën për veprimet edhe opozitare dhe tash në pozitë dhe ai dëshiron të bëjë një distancim të qartë duke mbajtur qëndrimin konsekuent edhe më herët si ministër i jashtëm, si kryeministër dhe tash si president. Thaçi konsideron se me Demarkacionin me Malin e Zi Kosova nuk humb territor dhe se marrëveshja duhet ratifikuar në Kuvend në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në Evropë”, ka deklaruar Tahiri për Gazeta Blic.
Sipas tij Thaçi nuk e ka problem të prish e të ndreq koalicione përderisa ka ndikim.
“Ai asnjëherë nuk ka pasur qëndrim tjetër për këtë çështje dhe nuk e ka për telash të prish e të ndreq koalicione për aq sa ka ndikim”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë përplasur për Demarkacionin. Thaçi po kërkon nga Kuvendi i Kosovës që ta votojë Demarkacionin. Por, në anën tjetër, kryeministri Haradinaj vazhdon të këmbëngulë se Demarkacioni duhet të korrigjohet.
Në anën tjetër presidenti Thaçi sot përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se individë dhe grupe të caktuara po bëjnë trillime të cilat mund t’i mbajnë qytetarët e vendit të izoluar. Ndërsa, në rast se institucionet tona shtetërore do të vazhdojnë të mbetën peng të trillimeve individuale apo qoftë edhe të një grupi politik të caktuar, atëherë sigurisht që pasojat për shtetin tonë mund të jenë edhe më të rënda./