fbpx

A po shantazhohet Lumezi nga “peshqit e mëdhenj” dhe krimi i organizuar?

  28 Oct 2017

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se iniciativës qëllimmirë dhe të pastër të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, duhet t’i dalin krah dhe të përkrahin mediet korrekte profesionale dhe OJQ-të jofitimprurëse, sikur edhe pjesa e politikës së painkriminuar, duke i dalë në mbrojtje dhe në mbështetje atij për t’i dhënë kurajë që të vazhdojë guximshëm të zbatojë ligjin e Kushtetutën, duke i detyruar shkelësit e ligjit të përballen me drejtësinë. Kjo ngase sipas tyre si duket guximi dhe vullneti i Lumezit po hasin në barriera të qëllimshme nga njerëzit e nëntokës së krimit të ndërlidhur fuqishëm me mafio-oligarkët e krimit të organizuar, qoftë edhe për ta vënë nën shantazh iniciativën e tij, në mënyrë që të heshten edhe më tutje dosjet e krimit të organizuar dhe kështu ‘peshqit e mëdhenj’ të mos mund të dalin para drejtësisë për krimet e kryera e të faktuara, abuzimet me ligjin, me pozitat e larta shtetërore, institucionale etj. Së fundmi, janë hedhur dyshime pa asnjë bazë e provë të besueshme për provimin e Jurisprudencës së kryeprokurorit, ndërsa KPK-ja i ka hedhur poshtë raportet në media, që dolën pasi ishkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha se ka zbuluar falsifikim në dosjen e Lumezit. Analistët e kanë shtruar edhe çështjen se a po përpiqen nëntoka kriminale dhe vetë kriminelët e lidhur me politikën dhe mafio-oligarkinë që të shantazhojnë dhe frikë- sojë kryeprokurorin e Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, që të mos guxojë të lejojë ngritjen e aktakuzave e padive kundër të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj” të politikës së inkriminuar, të nëntokës kriminale, të korporatokracisë së inkriminuar dhe mafio- oligarkisë së kriminalizuar.

Image

Dosjet në sirtarë

Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se disa herë është potencuar kërkesa imediate për arrestimin e të ashtuquajturve ‘peshqve të mëdhenj’ nga drejtësia, por ja që fatkeqësisht deri më sot një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga drejtësia kosovare, derisa sipas tij sigurisht që dosjet e tilla flenë apo pushojnë në sirtarët e drejtësisë pa pasur guximin bartësit e funksioneve të drejtësisë, si janë prokurorët e Prokurorisë Speciale, gjyqtarët, hetuesit, që aktorët e këtyre dosjeve t’i nxjerrin para drejtësisë. “Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, mbase që në fillim të marrjes së këtij posti ka treguar vullnetin dhe përkushtimin e tij disa herë që në këtë drejtim të bëhen hapa esencialë të drejtësisë për luftimin e hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke nxjerrë para drejtësisë edhe kokat e të ashtuquajturve ‘peshq të mëdhenj’ të politikes së inkriminuar me pozita të larta, të nëntokës kriminale, të korporatokracisë së inkriminuar dhe mafiooligarkisë së kriminalizuar. Por, si duket, iniciativa e Lumezit në këtë drejtim po has në barriera të qëllimshme nga njerëzit e nëntokës së krimit të ndërlidhur me mafio-oligarkët e krimit, qoftë edhe për ta vënë në shantazh iniciativën e Lumezit në mënyrë që të heshten dosjet e krimit dhe kështu ‘peshqit e mëdhenj’ të mos mund të dalin para drejtësisë për krimet e kryera, abuzimet me ligjin, me pozitat e larta shtetërore e institucionale etj.”, u shpreh ai. “Andaj, iniciativës qëllimmirë dhe të pastër të Aleksandër Lumezit duhet dalë krah dhe përkrahur mediet korrekte profesionale dhe OJQ- të jofitimprurëse sikur edhe pjesa e politikës së painkriminuar, duke i dalë në mbrojtje dhe mbështetje atij për t’i dhënë kurajë, pra kryeprokurorit të shtetit që të vazhdojë guximshëm të zbatojë ligjin e Kushtetutën, duke i detyruar shkelësit e ligjit të përballen me drejtësinë”, u shpreh analisti Naim Kelmendi

Image

Vjedhja e telefonit nuk ishte rastësi

Analisti Faton Mehmeti beson se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është viktimë e sistemit kriminal që udhëhiqet nga nëntoka dhe i cili nëse nuk është argat i tyre gjithsesi është i shantazhuar për të mos ngritur asnjë padi kundër të ashtuquajturve ‘peshq të mëdhenj’. “Vjedhja e telefonit të tij nuk ishte e rastësishme, por një vepër e krimit, për të shantazhuar kryeprokurorin dhe të mos guxojë që të preken kokat e krimit në vend. Besoj se z. Lumezi është i zënë peng nga kjo bandë kriminale, e cila po e shantazhon me çdo kusht. Por, dikush duhet të marrë guximin për t’i futur në burg këto banda kriminale, si e vetmja garanci e sigurt për vendin dhe për të ardhmen e saj të ndritur e ligjore. Derisa shoqëria si tërësi nuk i mbështet njerëzit e ndershëm dhe të pastër si Lumezi, që duan të luftojnë krimin, por i lë të vetëm përballë krimit, asnjëherë nuk do të mund t’i luftojmë këta banditë që po bëjnë krimin e organizuar në vend”, theksoi analisti Faton Mehmeti për gazetën “Kosova Sot”. “Nuk mjafton vetëm një kryeprokuror i guximshëm, por si shoqëri duhet të jemi bashkë të gjithë kundër krimit dhe së keqes që e ka kapur e kapluar këtë vend të pambrojtur nga ligji”, u shpreh në fund analisti Mehmeti.

Prokurorët duhet të jenë të pavarur

Avokati Nikë Shala thotë se dihet mirë që prokuroritë ndahen në disa instanca, duke filluar nga ajo themelore, e apelit, speciale, dhe zyra e kryeprokurorit të Shtetit. Në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, institucioni i Prokurorisë është i pavarur dhe funksionin e vet e ushtron në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, andaj siç tha nuk mund të ekzistojë mundësia që kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, të ndikojë në fillimin apo mosfillimin e procedurës penale ndaj personave të caktuar, kjo ngase sipas ligjit secili prokuror në punën e tij është i pavarur dhe varet vetëm nga zbatimi i ligjit. “Zhvillimi apo pushimi i procedurës penale ndaj personave të caktuar, të çfarëdo niveli apo profili qofshin, varet nga prokurori i çështjes kurdo që është vërtetuar nga provat e mbledhura se ekziston apo jo dyshim i bazuar që personi konkret e ka kryer veprën penale, andaj deklarimet e kujtdo qoftë se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, mund të ndikojë në inicimin apo pushimin e hetimeve të çfarëdo personave, të çfarëdo profili qoftë, janë vetëm supozime dhe të paqëndrueshme dhe e kundërta e kësaj duhet të argumentohet me fakte publike dhe pastaj Gjykata merr vendim meritor në bazë të provave që shqyrtohen dhe verifikohen në shqyrtim gjyqësor”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” avokati Nikë Shala.

Image

Kthimi i besimit në drejtësi

Analisti Florim Zeqa ka veçuar se kërcënimet e nëntokës kriminale lidhur me politikën dhe mafio-oligarkinë për frikësimin e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, janë formë e shantazhit për mosngritjen e aktakuzave e padive kundër të ashtuquajturve ‘peshq të mëdhenj’ të politikës së inkriminuar, të nëntokës kriminale, të korporatokracisë së inkriminuar dhe mafio-oligarkisë së kriminalizuar e të instaluar në majat e pushtetit qendror dhe lokal. “Në këtë rast, kërkohet që mediet korrekte profesionale dhe OJQ-të jofitimprurëse, së bashku me pjesën e politikës së painkriminuar, të dalin në mbrojtje të kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, për t’i dhënë mbështetje dhe kurajë kryeprokurorit të Shtetit dhe Prokurorisë së Shtetit (kuptohet pjesës së painkriminuar) në përgjithësi që të vazhdojnë guximshëm të zbatojnë ligjin e Kushtetutën, për t’i detyruar shkelësit e ligjit të përballen me drejtësinë, respektivisht për të marrë gjykimin dhe dënimin e merituar ndaj secilit shkelës të ligjit, pa dallim pushtet apo opozitë”, u shpreh ai. “Njëherësh kjo mbetet e vetmja shpresë për ndërgjegjësimin e kësaj klase të korruptuar politike, për të dëshmuar barazinë e qytetarëve para ligjit si elementin bazik të demokracisë dhe kushtin elementar për kthimin e besimit të qytetarëve në drejtësinë vendore”, potencoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Zeqa. Analisti Skënder Kapiti ka nënvizuar se nëse kryeprokurori i Kosovës nuk e kryen detyrën e tij kushtetuese për shkaqe subjektive të tij, e po qe se ai nuk ka guximin për ngritjen e procedimit dhe të akuzës për krimin institucionalpolitik kundër oligarkëve dhe atyre që tashmë quhen korporatokratë, hajdutokratë dhe të inkriminuarit ‘peshq të mëdhenj’, shërbimi më i mirë që i mbetet atij për të kryer është dorëheqja e tij.”Si ka mundësi që asnjë politikan e pushtetar, gjyqtar dhe prokuror, nuk rrezikon asnjëri as mandatin, as detyrën dhe as postin e tij për t’i shërbyer dekriminalizimit të politikës, pastrimit të saj dhe të gjyqësorit e administratës civile, interesit publik e kombëtar”, u shpreh ai.