fbpx

A po përgatitet tensionimi i situatës për shkak të Gjykatës Speciale?

  28 Nov 2017

Partitë politike dhe institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshme në qasjen e tyre ndaj problemeve të shfaqura këto dy javët e fundit.

Kjo për faktin se situata e krijuar në mes së partive politike lidhur me rezultatet e balotazhit që po akuzojnë njëra-tjetrën për manipulim të procesit zgjedhor në komunën e Prishtinës, Prizrenit dhe të Istogut mund të tensionojë situatën, thonë njohësit e sigurisë në vend.
Sipas tyre, tensionimit të situatës mund t’i ndihmojë edhe arrestimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dënimi me 21 vjet burg i aktivistëve të këtij subjekti politik, që akuzoheshin për sulm të ndërtesës së Kuvendit, vetëm dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të balotazhit.

Kelmendi: Po përgatiten skenare për t’ia shpëtuar lëkurën dikujt nga Specialja

“Mendoj se të gjitha këto turbulenca kohëve të fundit, pra dënimi i aktivistëve të Vetëvendosjes me 21 vjet burg të akuzuar për sulm ndaj Kuvendit, vetëm dy ditë para zgjedhjeve të balotazhit, vendimi për rinumërimin e dy qyteteve kryesore për Prishtinën dhe Prizrenin, ku VV doli e para dhe arrestimi i tre deputetëve, si dhe disa anomali që ndodhën, siç janë manipulimet në komunën e Istogut, po e ndezin situatën në Kosovë”, ka thënë për gazetën “Bota sot” analisti Jeton Kelmendi.

Ai ka thënë se ky skenar mund të mbështetet nga jashtë dhe nga faktori politik nga brenda Kosovës, i cili sipas tij, duket se i është ngushtuar rrethi nga ana e Gjykatës Speciale.

“Besoj se Gjykata Speciale pa humbur kohë do të fillojë me arrestime, prandaj qarqe të shërbimeve të caktuara po stimulojnë destabilizimin në Kosovë dhe kjo gjendje mund të jetë në një rrezikshmëri të lartë. Pra, unë mendoj se ka qarqe të caktuara, të cilat po e skanojnë një proces në Kosovë me qëllimin e caktuar që të shpëtohet lëkura e dikujt që mund të jetë cak i gjykimit nga ana e Speciales”, ka thënë më tej Kelmendi.

Tërnava: Situata mund të përshkallëzohet në çdo moment

Edhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se i sheh si shumë të rrezikshme zhvillimet e fundit politike në mes të partive politike.

“Tani situata politike skajshmërisht është e trazuar, dhe në të vërtetë mund të bëhet pyetje se a mos dikush nga politikanët e Kosovës, është duke punuar për interesa të shteteve armike të Kosovës? Dy ditë para zgjedhjeve, Gjykata i dënon aktivistët e VV-së për terrorizëm, pas zgjedhjeve befasuese, të hënën policia i ndjek dhe i arreston tre deputetë të VV-së në krye me Albin Kurtin, të enjten PDK e lëshon mbledhjen e Kuvendit për shkak të një deklarate të EULEX-it, të njëjtën ditë PZAP vendos rinumërim të plotë për Prishtinën dhe Prizrenin dhe të pjesshëm për Rahovec dhe Dragash. E krejt kjo që po ndodh në këto ditë të javës po na rikujtohet një thënje të një ish-politikani se “një dreq i madh o hy mes nesh“, ka thënë Tërnava për “Bota sot”.

Sipas tij, situata mund të përshkallëzohet në çdo moment.

“E vlerësoj se gjendja e krijuar në këto kohëra është tepër e tensionuar dhe në çdo moment, mund të eskalojë situata politike në përmasa të mëdha në demonstrata, trazira ku mund të ketë përdorim edhe të armëve, e nga këtu të kemi bilanc tragjik, që armiqtë e Kosovës do të kënaqen dhe do të kenë argumente që ta bindin faktorin ndërkombëtar se është bërë gabim në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, për të cilën gjithnjë serbët kanë thënë se shqiptarët nuk dinë me mbajt shtet”, ka thënë më tej Tërnava.

Ai ka kërkuar maturi dhe qetësi nga ana e partive politike në kërkesat e tyre për rezultatet e zgjedhjeve dhe me ngritjen eventuale ta aktakuzave nga ana e Gjykatës Speciale.

“Politikanët e Kosovës duhet të jenë të qetë dhe të dinë në këto momente çfarë të ndërmarrin, e sidomos në ditët në vijim që si po shihet një numër nga ta i ka dridh aktivizimi i Gjykatës Speciale, por gjithnjë duke u shërbyer me të thënën popullore se për “një plesht nuk kallet jorgani“. Këtë Gjykatë e kanë miratuar vetë këta deputetë të këtyre partive e sidomos ata të “mëdhenjtë“ që kanë pasur ndikim në të tjerët, që një numër nga ta do të jenë vetë të akuzuar pranë kësaj gjykate”, ka shtuar eksperti Hajrullah Tërnava.

Kajtazi: Pozita dhe opozita duhet ndryshuar komplet qasjen

Edhe eksperti tjetër Fadil Kajtazi, ka thënë se klasa politike aktuale duhet të jetë më e vetëdijshme për atë që thotë në publik.

“Nëse pozita dhe opozita kanë ndjeshmëri vetëm pak për këtë shtet, duhet të kenë një qasje krejt tjetër, edhe për mënyrën se qysh mbrohen vota, edhe për mënyrën se qysh flitet në parlament, edhe për mënyrën qysh flitet në media. Pra, pozita dhe opozita duhet ndryshuar komplet qasjen, sepse aktualisht në gjeopolitikën botërore kemi kërcënime të mëdha për shpërthim të ndonjë lufte ku mund të përdoret armatim bërthamor, siç është problemi i Koresë Veriore dhe një konflikt eventual në Kore do të mund të ndikojë edhe në rrjedhat e zhvillimeve politike në Evropë dhe në krejt botën. Prandaj, klasa politike duhet të jetë më se e vetëdijshme për atë se çfarë flet dhe çfarë vepron”, ka thënë Kajtazi për .

Kajtazi është shprehur kritik edhe me mënyrën e arrestimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, nga ana e Policisë së Kosovës.

“E para, mënyra se si është bërë arrestimi i deputetëve të Vetëvendosjes nuk është mënyrë e rregullt, sepse nuk ka nevojë për spektakël. Problemi i arrestimit ka mundur të ndodh në tjetër mënyrë e jo me pompozitet si është bërë. Ka mundur të bëhet në shtëpi ose që të lokalizohej vendi ku ndodhën deputetët që kanë pasur flet arrest”, ka thënë ai.

Sa i përket paralajmërimit të Lëvizjes Vetëvendosje se do të përdorin të gjitha mjetet për mbrojtjen e votës, Kajtazi ka thënë se vota duhet mbrojtur, por sipas tij, kjo duhet bërë nëpërmes rrugëve ligjore.

“Vota duhet mbrojtur në çdo kusht, sepse ajo është e shenjtë dhe nuk guxon që ta cënojë askush, në qoftëse kontestimi ose rinumërimi i votave bëhet në mënyrë ligjore, do të thotë që ata duhet mbrojtur, por mbrojtja duhet bërë në mënyrë ligjore, jo me metoda jashtëligjore”, ka thënë më tej Kajtazi.

Por, Kajtazi ka thënë se ai nuk sheh disponim tek qytetarët për përshkallëzim të situatës, për shkak të dilemave të rezultateve dhe të manipulimeve të votave në komuna të caktuara.

“Unë mendoj se nuk tani për tani nuk do të ketë eskalimi i situatës, sepse nuk po shoh potencial për një gjë të tillë. Mund të ketë protesta dhe pakënaqësi të tjera, por nuk do të ketë dhunë”, ka shtuar Kajtazi.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës përmes një deklarate për media, ka shfaqur pakënaqësinë e saj për vendimin e Gjykatës Supreme që ka hedhur poshtë kërkesën për rinumërim të votave në komunën e Prishtinës dhe të Prizrenit.

Sipas PDK-së, Supremja është frikësuar dhe terrorizuar nga siç i ka quajtur ajo “terroristët e Lëvizjes Vetëvendosje”.