A është manipuluar procesi në Istog dhe a do të ketë rinumërim në Prishtinë?

Të dy raundet e zgjedhjeve lokale, më 22 tetor e 19 nëntor, për nga mbarëvajtja janë vlerësuar si proceset elektorale më të rregullta në historinë e Kosovës.

Megjithatë, dyshimet për manipulime dhe parregullsi të tjera nuk kanë munguar, madje ka ende parti që nuk pranojnë rezultatet në komuna të ndryshme të vendit, përcjellë Gazeta Metro.

Për këto çështje dhe për procesin elektoral në përgjithësi ka folur Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë që ka mbikëqyrur nga afër procesin zgjedhor.

Duke folur për zgjedhjet në Istog, Krasniqi – i ftuar në emisionin e mëngjesit në KTV – ka thënë që ka dyshime të forta dhe të bazuara që procesi në balotazhin e 19 nëntorit ishte i montuar dhe kishte keqpërdorime. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe LDK, parti që ka akuzuar AAK’në për manipulim me votat e diasporës dhe personave të vdekur.

“Ne i kemi parë fletëvotimet dhe ngjyra e përdorur nëpër to është e njëjtë, prandaj ka shumë gjasa që procesi në Istog të jetë i manipuluar”, ka thënë Krasniqi. Ai ka shtuar që këto dyshime duhet të pastrohen nga Prokuroria dhe organet më kompetente shtetërore për hetime.

 

Albert Krasniqi – KDI
Sa i përket debatit nëse votat e Prishtinës duhet të rinumërohen, Krasniqi ka thënë që vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërim të tërësishëm ishte i pabazuar në kornizën aktuale ligjore të Kosovës, prandaj edhe u hodh poshtë nga Gjykata Supreme.

Tutje, rreth mundësisë që lënda të shkojë për rishqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nga LDK, Krasniqi ka thënë që as Kushtetuesja nuk do të përkrahte rinumërimin e të gjitha kutive në Prishtinë, për shkak se do të gjente që nuk ka argumente të mjaftueshme që ka pasur keqpërdorime.

“Në Kosovë nuk ekziston praktika e rinumërimit vetëm për shkak të rezultatit të ngushtë. Unë personalisht jam zhgënjyer me drejtësinë në këto zgjedhje pasi edhe Gjykata Supreme nuk e kishte arsyetuar mirë vendimin për mos-rinumërim”, tha ai.

LDK në Prishtinë e Istog dhe PDK në Prizren nuk e kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve deri më tash, pasi kanë thënë që ka pasur manipulime dhe kanë kërkuar rinumërim, ndërkohë që LDK po e shqyrton mundësinë që lëndën për Prishtinën ta dërgojë në Kushtetuese.