fbpx
A e furnizoi Shqipëria makinerinë serbe me naftë gjatë luftës në Kosovë? Përgjigjet ish-ambasadori

A e furnizoi Shqipëria makinerinë serbe me naftë gjatë luftës në Kosovë? Përgjigjet ish-ambasadori

  14 May 2019

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka thënë se i gjithë faktori politik shqiptar është kundër idesë së presidentit Thaçi, për shkëmbim të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, me përjashtim të Edi Ramës.

Lauka në një interviste ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se akuza se Tirana ka furnizuar me naftë makinerinë ushtarake të Millosheviçit, është është po aq e vërtetë sa ç’është ajo e Dik Martit për trafikimin e organeve njerëzore nga luftëtarët e UҪK-së.

“Nuk është vetëm Sali Berisha, por përgjithësisht, gjithë faktori politik shqiptar kundër shkëmbimeve territorialeve midis Kosovës dhe Serbisë, me përjashtim të Edi Ramës. Ndërkaq, reagimi i Presidentit Thaçi ndaj këtij qëndrimi parimor të Shqipërisë nuk ishte dinjitoz. Duke u mbështetur në të dhëna të shtypit bulevardesk, ai e akuzoi Tiranën se ka furnizuar me naftë makinerinë ushtarake të Millosheviçit. Kjo akuzë është po aq e vërtetë sa ç’është ajo e Dik Martit për trafikimin e organeve njerëzore nga luftëtarët e UҪK-së”, ka thënë Lauka, enkas për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai gjithashtu ka deklaruar se edhe po të donte Shqipëria ta bënte ketë punë, ajo e kishte të pamundur, për shkak, sipas tij, të mungesës së infrastrukturës.

“Edhe po të donte Shqipëria ta bënte ketë punë, ajo e kishte të pamundur, për shkak të mungesës së infrastrukturës, por edhe të sasisë së kufizuar të naftës. Nga një studim i OKB-së rezulton se sasia e naftës që ka kaluar nga Shqipëria në ish-Jugosllavi është krejt e papërfillshme, kryesisht, për nevoja të banorëve të brezit kufitar. Ushtria jugosllave është furnizuar me anije- tankër, mijëra tonëshe, në shkelje të embargos sënaftës, nëpërmjet Detit të Zi dhe Danubit, jo nga Shqipëria”, ka thënë Islam Lauka.