A DO T’I JAP HAKI RUGOVA TENDER VETES, VËLLEZËRVE DHE DJALIT – PREMTIMI MË I ÇUDITSHËM I FUSHATËS

Haki Rugova ka premtuar se Komuna e Istogut nuk do t’i jap më tenderë kompanisë së vëllezërve të tij, djalit të tij dhe vetes. Nënkryetari i LDK-së që ka udhëhequr me komunën për tetë vite me radhë, i ka dhënë disa tenderë kompanisë “MaCon” që udhëhiqet nga dy vëllezërit e tij, në të cilën është aksionar edhe vet ai.

Kompania “MaCon”, që udhëhiqet nga dy vëllezërit e Rugovës, sipas një hulumtimi të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, kishte ndërtuar një objekt shtatëkatësh në pronë komunale në vitin 2004.

Përveç këtij ndërtimi, Rugova është akuzuar nga kundër kandidati i tij në zgjedhjet lokale, Arif Elshani, për favorizimin e një kompanie të djalit të tij në projektet e komunës. Elshani kishte thënë se ka dëshmi për këto favorizime të kryetarit të Istogut.

“Kemi komunë me 159 të punësuar, Zyrë të Prokurimit që punon për interesa jo të komunës pasi kjo zyrë ka më shumë se 10 lëndë dhe nuk veprohet. Kam dyshim se ajo zyrë ka bashkëpunim me Rugovën, kam dëshmi se djali i zotit Rugova ka marrë tender dhe e kam ngritur disa herë këtë çështje”, kishte thënë Elshani në një debat në Klan Kosova.

“Ka marrë tender prej 218 mijë eurosh prej vitit 2016, e kam shprehur këtë çështje. Kam dërguar 15 lëndë në komunën e Istogut edhe nuk kanë bërë asgjë”.

E në debatin e mbajtur në emisionin “Jeta në Kosovë” për zgjedhjet lokale në Komunën e Istogut – më 4 tetor – Rugova u zotua se kompania “MaCon” nuk do të punojë në projektet e komunës.

“Bageri i ‘Makonit’, s’ka me punu kurrë aty, me ja nalë nuk muj. S’jam aksionar më, kaherë nuk jam. Çka kam me ba, janë firmë e fortë, edhe Ganiu (Dreshaj) ia ka dhanë punën Maconit”, tha Rugova.

Sipas një hulumtimi të emisionit hulumtues, “Drejtësia në Kosovë”, kryetari Haki Rugova në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion për gjashtë vjet ka deklaruar se ka aksione në kompaninë “Macon”, së cilës i ka dhënë tender që arrin vlerën e qindra mijëra eurove.

Por, Rugova kishte mohuar të jetë aksionar në këtë kompani.

“Unë nuk jam pronar në ‘Macon’, s`kam asnjë aksion, prej momentit që kam kandiduar si kryetar komune, unë s`kam aksione”, ka deklaruar Rugova.

Favoret e familjes së kryetarit Rugova nuk përfundojnë vetëm më shfrytëzimin e pronës komunale për ndërtimin e një objekti shtatëkatësh në qendër të qytetit të Istogut.

Të gjeturat nga ky hulumtim tregojnë se firma “Macon” pronë e vëllezërve të kryetarit, e ku sipas deklarimit të pasurisë në AKK vetë kryetari posedon 15 % të aksioneve, e të cilat ai i ka mohuar në intervistën e dhënë për “Drejtësia në Kosovë”, ka marrë edhe tenderë në vlerë qindra mijëra euro.

Te gjeturat nga hulumtimi treguan se vëllezërit e kryetarit Haki Rugova në tre tenderë janë rekomanduar për dhënie të kontratës nga Komuna e Istogut.

Dy tenderë i kishte fituar në vitin 2010. Tenderin e fundit e ka fituar në vitin 2014, për ndërtimin e kanalizimit fekal në fshatin Cerrce.Vlera e kontratës së nënshkruar në mes të kryetarit të Komunës së Istogut me kompanisë “MaCon” ka qenë 283 mijë euro.

Në një prononcim për “Drejtësia në Kosovë”, nënkryetari i Lidhjes Demokratike kishte pranuar se kompania e vëllezërve të tij ka operuar në projektet e komunës.

“Ka pasur raste kur ka marrë, shumë pak. Rrjetin e kanalizimit në Cërcë një pjesë e ka përfundu ‘Maconi’, në dy faza ka qenë, kurse pjesën tjetër e ka përfundu një kompani tjetër”, ka thënë kryetari Rugova.

Haki Rugova ka fituar më së shumti vota në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 22 tetor, por jo mjaftueshëm për të fituar shumicën.

Nënkryetari i LDK-së do të përballet në balotazh, më 19 nëntor, me kandidatin e AAK-së në këtë komunë, Gani Dreshajn. /Insajderi.com