Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri është deklaruar pas takimit që kanë pasur sot me kryetarët e degëve të kësaj partie.
Ku është diskutuar rreth përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të cilat mbahen me 19 nëntor.
Haziri tha se kjo parti do të bëjë koalicion vetëm me qytetarët.
“Vetëm me qytetarët”, është përgjigjur shkurtimisht Haziri.
Ndërkaq në këtë takim kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i njoftoi kryetarët e degëve për angazhimin e tërë potencialit të LDK-së në komunat ku LDK-ja është në balotazh.
Ai tha se orientimi themelor i Lidhjes Demokratike të Kosovës është të fuqizojë edhe më tutje votën e LDK-së dhe të fitojë përkrahje të gjerë qytetare në Prishtinë dhe në komunat e tjera ku garohet në raundin e dytë.
Në takim u vlerësua një punë përmbajtjesore dhe dinamike e cila po zhvillohet në terren, si dhe përkushtimi i kandidatëve për kryetarë të komunave, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.