A do ta takojë sot Haradinaj kryeministren e Serbisë në Bruksel?
Dy delegacione të Kosovës dhe Serbisë po qëndrojnë sot në Bruksel ku do të zhvillojnë takime me zyrtarë të BE-së
Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e radhës të Këshillit të Stabilizim Asociimit Kosovë – BE.
Dje Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe aprovuar dokumentin për qëndrimin shtetëror, në takimin e dytë në Bruksel, për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
“Dokumenti përkushtimin e Kosovës për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të vitit 2016, si thelb të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Fokusi në zbatim është edhe udhërrëfyes i Kosovës drejt arritjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili mbetet prioritet kryesor i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim e djeshëm të Qeverisë së Kosovës.
Por, për një takim të ngjashëm në Bruksel po qëndron edhe kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic. Për dallim nga Kosova Serbia do ta mbajë takimin e katërt me BE-në për implementimin e MSA-së.
Brnabic e ka nisur agjendën e saj me takimin me Përfaqësuesen e Lartë Federica Mogherini.
Nuk dihet nëse gjatë qëndrimit në Bruksel do të ketë ndonjë kontakt mes palës kosovare dhe serbe.
Dialogu Kosovë – Serbi ndërmjetësohet nga BE-ja tashmë ka kaluar në nivel presidentësh. Por, aktualisht në këtë proces ka një “pauzë”. Nuk dihet nëse evropianët kanë paraparë ndonjë takim ndërmjet Haradinajt dhe Brnabic për ta ringjallur procesin. /GazetaExpress/