A DO TA MBËSHTES HARADINAJ VENDIMIN E MINISTRISË QË STADIUMI TË NDËRTOHET NË DRENAS

  03 Nov 2017

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka konfirmuar se stadiumi nacional do të nderohet në Drenas, e jo në Bërnicë ku ishte paraparë nga qeveria e kaluar. Por për zhvendosjen e këtij projekti Qeveria e Kosovës nuk e di ende nëse do ta mbështes apo jo.

Fillimisht lajmin e disa javëve më parë, për zhvendosjen vendit se ku do të ndërtohet stadiumi këshilltari i Haradinajt, Avni Arifi e kishte quajtur gënjeshtër të kulluar.

Arifi, tash pranon se zhvendosja e stadiumit edhe mundet të ndodhë. Ai thotë se ministria e Sportit që udhëhiqet nga PDK mund ta merr një vendim të tillë por që në kryeministri nuk ka arritur asgjë.

“Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e ka PDK-ja. Ata munden me e proceduar se është në kompetence të tyre kjo ministri, por në kryeministri nuk ka arritur asgjë sa i takon kësaj çështje. Qëndrimi im ka qene se deri atë dite asnjë vendim, diskutim apo debat në Qeveri nuk ka pas. Se ka pas brenda dikastereve te caktuara Qeverisëse ide te tilla nuk kam pas si ta di. Zyrtarisht deri atë dite ka qene rrenë e kulluar”, ka thënë Arifi për Insajderi.

Arifi ka kundërshtuar që për ndërtimin e një stadiumit kanë vendosur politikanët e jo Federata e Futbollit të Kosovës, ndërsa e ka quajtur për keqardhje zhvendosjen e ndërtimit të këtij stadiumi.

“A e kundërshtoj?. Nuk është me rendësi unë çka mendoj por si qytetarë i Republikës së Kosovës dua të përmbylli këtë debat me dy qëndrime. Vendimin se ku vendoset stadiumi është dashtë ta marrë ekskluzivisht FFK e jo politikanë. Si dhe është precedan tepër i keq kur një investim kapital nga një komunë (qoftë edhe veç ide) zhvendoset në komunën tjetër me argumente tepër të paqëndrueshme. Për keqardhje”.

Ndërsa i pyetur nga Insajderi nëse Qeveria Haradinaj do ta përkrah vendimin e MKRS-së për ndërtimin e stadiumit, Arifi ka thënë se ende nuk mund të përgjigjet për propozim pa material.

“Është e hershme një pyetje për propozim pa material”, ka thënë Arifi.

Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa kishte marrë vendim për dertimin e stadiumit nacional në Bërnicë të Epërme. Por me qeverinë e re është marrë vendim ndërrimi i lokacionit.

Në anën tjetër FFK ditë më parë ka deklaruar se për zhvendosjen e stadiumit nacional, nuk kanë qenë në dijeni./Insajderi.com

 

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.