Vetëvendosje po kalon nëpër një krizë brenda partiake, si pasojë e ndarjes në dy blloqe. Krahu me në krye deputetin Dardan Molliqaj ka kërkuar që themeluesi i partisë, Albin Kurti, të mos kandidojë për kryetar të partisë ka përballë përkrahësit e Kurtit, që e shohin atë si një lider të pakontestueshëm.
Ish-zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi ka thumbuar ish-sekretarin e partisë, Molliqajn, duke i thënë që votat i ka marrë falë Albin Kurtit, shkruan Gazeta Metro.
“Ai momenti kur e kupton se 49 mijë vota nuk paskan qenë për ty, por për njeriun e dytë të Albinit kushdo që të kishte qenë ai!”, ka shkruar Vraniqi.
Molliqaj në zgjedhjet e fundit nacionale ka arritur t’i grumbullojë 49 mijë e 26 vota, duke u renditur i dyti më i votuar në parti, pas Albin Kurtit që kishte 143 mijë e 621 vota.