40 ish ushtarë të UÇK-së u vetëvranë pas luftës
Komandantët u thirrën në vlera të luftës, por në paqe i lanë në baltë ushtarët e vet. Rreth 40 ish-ushtarë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje pas lufte nga traumat, dëshpërimi apo nga skamja. Mos i ka dëgjuar dikush komandantët t’i përmendin ose të marrin ndonjë iniciativë për të ndihmuar familjet e tyre
S’ka pasur komandantë me nofka të tilla gjatë luftës, por ka me bollëk tash e 17 vjet. Se pushteti dhe paraja ishte synimi i shumicës prej tyre, vërehej edhe prapa uniformës. Vetëm se ajo tani është zëvendësuar me tesha kat e kravatë
Në shkurt të vitit 1999 së bashku me Albanin, fotoreporterin e gazetës dhe Limanin, shoferin, pasi kaluam disa postblloqe të policisë serbe (edhe atë famëkeqin në Komoran) arritëm në Likoc të Drenicës ku ndodhej Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pak ditë më herët kishte ndodhur shkëmbimi i nëntë ushtarëve të UÇK-së të zënë rob nga policia serbe me tetë ushtarë të Federatës së mbetur jugosllave të zënë rob nga forcat e UÇK-së në Shalë të Bajgorës. Në mesin e nëntë ushtarëve të UÇK-së ishte edhe një vajzë. Dëshiroja të intervistoja vajzën rreth përjetimeve dhe trajtimit si rob lufte nga forcat policore serbe.
U gëzova kur mora vesh se vajza ishte në Likoc dhe me ndihmën e fshatarëve arrita ta takoj. Sapo fillova bisedën me të para shtëpisë ku ndodhej shtabi, arriti një veturë me dy-tre ushtarë me uniforma të zeza me shenjën PU në krah, që tregonte se ishin policia ushtarake e UÇK-së. Njëri prej tyre, për të cilin më vonë mora vesh se ishte komandant, na u afrua dhe na kërkoi lejet e obligueshme për gazetarë për të hyrë në territoret e kontrolluara nga UÇK-ja. Lejet lëshoheshin në Prishtinë nga Zyra e përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demaçi, ndërsa sekretar ishte Albin Kurti. Unë dhe fotoreporteri ishim të pajisur me leje, por shoferi jo, sepse nuk e dinim se duhej leje edhe për shoferin.
Nuk kishte gjë që e bindte komandantin se shoferi nuk ishte ndonjë spiun dhe se ai mund të rrinte me ushtarët gjersa ta kryeja intervistën. E urdhëroi vajzën që të largohet shpejt nga aty, ndërsa neve na u kërcënua se nëse nuk e lëshojmë territorin e UÇK-së brenda pesë minutash do të na arrestonte. Ne përpiqeshim ta bindnim në qëllimin tonë të mirë për të informuar botën se çfarë po ndodh në Kosovë në atë kohë të tmerrshme të luftës e masakrave, por ai vazhdonte të na kërcënonte me arrogancë. Na detyroi të hipnim në veturë dhe na përcolli me veturën e tij prapa gjersa u larguam përfundimisht nga territori prej disa fshatrash që kontrollohej nga UÇK-ja.
Ky është vetëm njëri nga shumë raste të maltretimit të gazetarëve nga pjesëtarë të UÇK-së. Ka pasur raste kur si “në shaka” na e kanë drejtuar edhe revolen. Ishte e vështirë si gazetar të përjetoje këso trajtimi nga ata që i konsideroje luftëtarë lirie të vendit tënd, pasi i kaloje me njëqind ethe pesë a gjashtë postblloqe të frikshme të policisë serbe, nga të cilat mund të mos dilje gjallë.
Fatkeqësisht, komandantët nuk silleshin kështu vetëm me gazetarë, por edhe me banorët lokalë. Nëpër varrime të viktimave dhe ushtarëve të vrarë ata vinin me xhipa, duke ecur me pompozitet dhe aktronin një lloj pushteti para popullatës. Gazetarët që raportonin nga lufta i vërenin këto, por sjelljet e tyre arrogante atëbotë i arsyetonin me gjendjen e jashtëzakonshme të luftës. Ishin këta djem që ia kishin kthyer pushkën policisë e ushtrisë serbe dhe kishin ngjallur krenari, vetëbesim dhe shpresë te populli se liria nuk ishte larg. Që e kapën pushkën dhe iu kundërvunë një pushtuesi të egër do ta kenë përjetë respektin e qytetarëve. Por jo edhe për ato që i bënë pas luftës.
Kapadaillëkun që e shprehnin në fshatrat që kontrollonin, me të përfunduar lufta e bartën në qytete dhe në kryeqytet. Uria me të cilën iu qasën grabitjes së shtetit, uzurpimit të pronave publike por edhe atyre private, tregon se ideal i tyre nuk ishte ndërtimi i një shteti të zhvilluar, ku sundojnë ligji e barazia për të gjithë, por pasurimi i shpejtë.
Gjatë gjithë këtyre vjetëve të pas luftës kanë mundur të vazhdojnë ta thërrasin njëri-tjetrin me nofka. Por tash me të tjera. Më së miri do t’u përshtateshin: Komandant Euro, Komandant Dollari, Komandant Frangu…