​Kush është Kadri Veseli? Profili nga lufta e ’99 e deri më sot (Video)

  28 Sep 2017

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, emri i Kadri Veselit ishte i njohur në opinion për punën që ai ka bërë për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në udhëheqjen e Shërbimit Informativ të Kosovës, si dhe për pjesëmarrjen në bisedimet e Rambujesë si këshilltar i delegacionit të Kosovës.

Por Kadri Veseli deri më 2008 ka qenë thjesht një enigmë që publiku nuk e ka njohur, një personazh i rrethuar nga shumë dritëhije. Ai është figura më kontroverse e pasluftës e akuzuar verbalisht për punën në udhëheqjen e SHIK-ut dhe mos transparencën e punës që ka bërë.

Për punën e tij, ai ka folur pak, pasi e ka deklaruar të shuar SHIK-un pas bërjes së Kosovës shtet në një deklaratë direkte në televizionin publik kosovar. Veseli ka thënë se shërbimi që ai ka udhëhequr, ndër të tjera ka arritur të nxjerrë shumë dokumente të nevojshme nga institucionet e Serbisë në Beograd.

Kadri Veseli, që tani është 47 vjeç dhe vjen nga komuna e Mitrovicës, njihet si mik i afërt i liderit të PDK-së Hashim Thaçi dhe shpesh është akuzuar se shërbimi i tij i krijuar në luftë ka shërbyer në favor të PDK-së.

Pikërisht afërsia me këtë parti ka bërë që ai edhe zyrtarisht t’i hyjë politikës më 2 nëntor 2012, kur mori dhe librezën partiake në vendlindjen e tij para bashkëqytetarëve, miqve, simpatizantëve e bashkëluftëtarëve.

Vetëm një muaj më vonë, në konventën e PDK-së Veseli arriti të zgjidhet nënkryetar i PDK-së dhe që atëherë ai ka nisur jetën publike, ku në zgjedhjet e fundit parlamentare mori vota të mjaftueshme për të qenë deputet.

Gjashtë muaj pas ngërçit politik dhe 16 vjet pas punës së tij nën hije, ish-shefi i SHIK-ut ulet në karriken kryesore, në institucionin nga ku dalin ligjet e Kosovës. Ndryshe nga çdo paraardhës tjetër, ai menjëherë është përballuar me akuza të forta dhe kërcënimet e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar ndaj tij dhe shërbimeve që drejtonte. Por Kadri Veseli është i vendosur që të gjithë kritikëve t’u përgjigjet me planet e tij për të ardhmen, duke thënë se kalimi në institucione është një vazhdimësi e re.

“Po, unë gjithmonë kam marrë vendime të vështira, të cilat kanë pasur të bëjnë me popullin tim, me vendin tim. Natyrisht se kjo është vetëm një vazhdimësi në një rrethanë të re, e cila po ashtu është po aq e rëndësishme për mua, për vendin tim dhe qytetarët e këtij vendi”, thotë Veseli për Top Channel.

Kryeparlamentari i ri i Kosovës dëshiron që të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike në Kuvend për të avancuar debatin dhe praktikat parlamentare. “Unë synoj që nga ky pozicion ku jam aktualisht ta rrisim edhe më tej transparencën dhe në të njëjtën kohë ta rrisim edhe komunikimin e brendshëm këtu, që debati të jetë më serioz, që forcat politike të kenë mundësinë e debatimit dhe në të njëjtën kohë edhe të gërshetimit të mendimeve të tyre në mënyrë që të kemi vendime sa më cilësore, në dobi të qytetarëve dhe të vendit tonë”, thotë ai.

Kadri Veseli ka konfirmuar për Top Channel se vizitën e parë jashtë shtetit do ta bëjë në Shqipëri, pasi përveç simbolikës, ai tregon se ka lidhje të vjetra me udhëheqësit e institucioneve në Tiranë, që para luftës në Kosovë.

“Shqipëria në fakt është një moment i veçantë emocianal dhe jetësor i vetë jetës time. Unë dëshiroj të theksoj se kam patur fatin që në fillim të viteve nëntëdhjetë të jem atje si student. Kam përjetime rinore, kam përjetime emocionale, por në të njëjtën kohë edhe si veprimtar i lëvizjes tonë kombëtare. Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë moment që të falënderoj me qindra e mijëra njerëz nga Shqipëria, të cilët kanë qenë përkrah veprimeve tona, të cilët na kanë mbajtur me bukën dhe besën e tyre, mua dhe dhjetëra e mijëra luftëtarë të lirisë. Ky është një imperativ i veçantë dhe personal për mua, që vizitën time të parë ta bëj në Republikën e Shqipërisë”, shton Veseli. / Top Channel

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.