ZYRTARE: Enis Gavazaj prezantohet te FC Prishtina

Enis Gavazaj është futbollisti më i ri i FC Prishtinës. Në fakt 25 vjeçari është rikthyer në shtëpinë e vjetër pas disa aventurave në karrierën e tij.

Gazeta “Sheshi” raportoi më 28 shtator për fillimin e bisedimeve ndërmjet dy palëve, teksa marrëveshja është zyrtarizuar pas saktësisht një jave (5 tetor), teksa futbollisti ka hedhur “të zezën mbi të bardhë”.

Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit, Gavazaj ka deklaruar se është rikthyer për ta fituar titullin kampion.

“Kthimi në Prishtinë më shtyu ambiciet e klubit. Ka ardhur koha t’i ndihmoj klubit siç më kishte ndihmuar klubi mua shumë vite më herët. Kam ardhur për të mirën e dyanshme.

Prishtina prej kur isha unë ka ndryshuar shumë, vetëm pak bashklojtarë që kam pasur më herët ende janë pjesë e klubit. Ka ndryshuar stadiumi e që tani është ambient shumë më i mirë se që ka qenë.

Premtoj më të mirën nga ana ime, gola dhe asistime”, theksoi ndër të tjerash Gavazaj.

Ai pritet të debutojë me Prishtinën qysh në ndeshjen e radhës, pasi që është regjistruar si futbollist profesionist i lirë pa kontratë.

/Gazeta Sheshi/