100 minuta lojë, pesë gola dhe tre kartonë të kuq – Gjithçka që ndodhi në dramën ndërmjet Ferizajt dhe Kikës

100 minuta lojë, pesë gola dhe tre kartonë të kuq – Gjithçka që ndodhi në dramën ndërmjet Ferizajt dhe Kikës

Festa e futbollistëve të Kikës pas ndeshjes në Ferizaj

Dueli ndërmjet Ferizajt dhe Kikës ishte njëri ndër takimet më interesante të xhiros së tretë në Ligën e Parë, teksa u shënuan pesë gola dhe u ndanë tre kartonë të kuq, shkruan Gazetasheshi.com.

Ndeshjen e fitoi skuadra nga Hogoshti, por vetëm pas një trilleri të vërtetë, me ç’rast ndeshja shkoi deri në 100 minuta.

Takimin e nisën më mirë vendasit të cilët kaluan në epërsi pas 15 minutave lojë përmes Dardan Qerkinit.

Spektakli nisi vetëm në pjesën e dytë. Fillimisht në minutën e 55-të, mysafirët barazuan rezultatin përmes Kushtrim Rexhepit, ndërkohë dhjetë minuta më pas edhe morën epërsinë përmes Fidan Kqikut. Por, gëzimi i Kqikut zgjati vetëm pak minuta, pasi që futbollisti u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.

‘Drama’ nisi në minutat shtesë, teksa vendasit barazuan përmes Ibrahimit në minutën e 91-të. Goli u kontestua nga skuadra mysafire, pasi që pretenduan se topi nuk kishte kaluar vijën fatale, teksa pas shumë protestave pati disa kartonë të verdhë dhe një i kuq për ndihmës trajnerin e skuadrës mysafire.

Ndeshja vazhdoi pas më shumë se pesë minutave ndërprerje, teksa saktësisht në minutën 100-të të ndeshjes Kushtrim Rexhepi pengohet i vetëm me ‘gardiani’ Drin Hodaj nga një mbrojtës i skuadrës vendase, i cili u përjashtua direkt me karton të kuq.

Nga goditja e dënimit realizoi Rexhepi duke dërguar në trans ekipin mysafir që merr fitoren e dytë sezonale dhe ngritet në pozitën e tretë me gjashtë pikë të tubuara.

Ndërkohë, Ferizaj me vetëm një pikë ndodhet në pozitën e tetë në grupin B