Përgatiti bukë për UÇK-në, mori statusin e rrejshëm të veteranes luftëtare

Gjykata e Pejës ka dënuar gjatë ditës së djeshme, Rifadije Elshanin, e cila akuzohej se ka prezantuar dokumente të falsifikuara, për të përfituar pension kundërligjshëm në emër të statusit të veteranit luftëtar të UÇK-së.

Gjykata e Pejës, të akuzuarës i ka shqiptuar dënim me burgim prej 6 muajsh, por ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës dy vjeçare.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka siguruar aktakuzën e ngritur ndaj tashmë të  dënuarës Rifadije Elshani, ku tregohen detaje se si e dyshuara kishte dhënë para në vlerë 100 euro, për të siguruar dokumentet për statusin e veteranit luftëtar.

Në aktakuzë thuhet se e dyshuara në prokurori kishte deklaruar se nuk ka qenë ushtare e UÇK-së gjatë periudhës së luftës, por vetëm ka përgatitur ushqim për ushtarët.

“Gjatë periudhës së luftës unë nuk kam qenë e radhitur si ushtare e UÇK-së dhe nuk kam qenë me uniformë apo të kem pasur armë, dhe gjatë gjithë kohës kam qenë në shtëpi së bashku me babin dhe dy motrat më të reja. Por unë i kam ndihmuar ushtarëve të UÇK-së, me ushqim duke iu përgatitur. Mirëpo, unë nuk e di se këta ushtar cilës brigadë i kanë takuar apo se ku kanë qenë të radhitur”, ka deklaruar e dyshuara.

Elshani e cila u dënua nga Gjykata e Pejës si veterane e rrejshme e UÇK-së ka deklaruar se në periudhën e luftës ka qenë 19- 20 vjeçare, duke treguar se si ka aplikuar që të marr dokumentet për statusin e veteranes luftëtare të UÇK-së. Elshani ka deklaruar se e gjithë kjo ka filluar pasi ka dëgjuar përmes televizionit se ka të drejtë ta marrë këtë dokument.

“Në atë periudhë kohore unë kam qenë 19- 20 vjeçare, e pa martuar dhe menjëherë pas lufte jam martuar e kur dëgjuam përmes televizorit dhe njerëzve se “nëse edhe një gotë ujë iu ke dhënë ushtarëve ke të drejtë me marr qetë rrogë të veteranit”, dhe unë kam menduar që më takon pasi kam shërbyer për të njëjtit”, ka deklaruar Elshani.

Ajo tutje ka deklaruar se si ka ardhur në Prishtinë për të marrë këto dokumente, për të cilat kishte dhënë edhe para. “Më kanë treguar se në Prishtinë, në ministrinë për veteran e cila është me xhama, mundesh me shku mi nxjerrë dokumentet që duhen, e unë si e pa shkolluar kam shkuar në Prishtinë, e aty kam marr një taksi i cili më ka dërguar dhe aty pash një grumbull të grave të cilat poashtu kishin shkuar për këtë punë”, ka treguar Elshani. Ajo ka deklaruar se si i ka dhënë 100 euro për të marr këto dokumente si veterane e luftës.

“Ka dal një person, na ka marr brenda një nga një në zyrën e tij dhe pasi shkuam brenda më ka pyetur se çka kam bërë në luftë. Pas kësaj më ka shti mi nënshkrua do dokumente e pastaj unë ua kam dhënë letërnjoftimin, i cili ma ka bërë kopje dhe më ka kërkuar që këto shërbime duhesh paguar se kushtojnë, ashtu që aty ia kam dhënë 100 euro”, e të cilit iu dokt pak, por unë nuk kam pasur më shumë.

Pasi kam pritur një orë, mi ka dhënë qeto dy dokumente, certifikatën dhe vërtetimin me një fasikëll dhe më tha i gëzofsh e mundesh me shku me apliku tash në komunën tënde”, thuhet në deklaratën e Rifadije Elshanit dhënë në Prokurori.

Tutje në deklaratën e saj, Elshani ka treguar arsyen pse i ka dhënë 100 euro, për të marrë dokumentet si veterane e luftës.

“Unë ia kam dhënë të hollat prej 100 euro pasi që mi ka kërkuar dhe kam menduar që dokumentet kanë vlerë të madhe edhe duhet paguar, pasi që unë nuk kam qenë ushtare dhe ndoshta kushtojnë më shumë, edhe më pas ai personi nuk më ka dhënë asnjë faturë për paratë që ia kam dhënë as nuk ka kërkuar mi dërgu në bankë, por e di se më ka thënë që mbase ju ke ndihu ushtarëve të takojnë dhe atëherë kam vazhduar procedura”, ka deklaruar Elshani.

Në deklaratën e saj, që nga dorëzimi i këtyre dokumenteve e deri kur është ftuar nga policia, Elshani ka pretenduar se nuk ka qenë e njoftuar për këtë punë.

“E ndjej vetën fajtore për këto veprime dhe në të ardhmen unë nuk do të veproj më në këtë mënyrë”, ka deklaruar Elshani.

Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës ka deleguar për hetime të mëtutjeshme Prokurorisë së Pejës mbi 7000 aplikacione nga “Dosja e Veteraneve të Rrejshëm”.

Sipas të dhënave qe ka siguruar KALLXO.com deri më tani Prokuroria e Pejës ka ngritur 39 aktakuza lidhur me këtë dosje.