I gjetën 4.5 ton drogë në banesë, kërkohet 15 vite burgim

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar këtë të mërkurë nga gjykata që të dënojë me 15 vite burgim Armando Koçerrin, pjesëtarin e bandës së Habilajve të Vlorës.

Në banesën e Koçerrit u gjet një sasi prej 4.5 ton kanabis e cila ishte gati për t’u trafikuar drejt Italisë. Droga u gjet në një magazinë në Babicë, pranë banesës së Koçerrit.

Disa kohë më parë çështja e tij u nda si dosje më vete nga ajo e grupit të Habilajve, pavarësisht se trafiku i drogës kryhej në bashkëpunim mes tyre.

Nëse gjykata do të pranojë pretencën dhe do ta dënojë me burg Koçerrin, për shkak të gjykimit të shkurtuar ai rrezikon të dënohet me 10 vite burg.

Koçerri nuk ka folur gjatë seancave gjyqësore duke patur vetëm një kërkesë për gjykatësit, largimin e kamerave me argumentin se nxjerrja e tij në media shqetësonte fëmijet e mitur.