Arrestohet zyrtarja e tatimit në pronë për keqpërdorim detyre

Është arrestuar një e dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Zyrtarja në fjalë lëshonte vërtetime të pagesave të tatimit në pronë personave që ishin të liruar nga kjo pagesë.

Arrestimi u bë nga Policia e Kosovës konkretisht Njësiti Rajonal i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka bërë hetimet relevante pas pranimit të  informatës për keqpërdorime dhe shkelje ligjore në komunën e Prishtinës.

Dyshimet ishin mbi një të dyshuar e cila punonte në sektorin e pagesave të tatimit në pronë.

“Pas hetimeve disa javore, hetuesit e NJRHKEK-së, kanë ardhur në përfundim se e dyshuara N. D., (1980), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka keqpërdorur pozitën e saj dhe nga muaji mars deri në tetor 2019, ka lëshuar vërtetime të pagesave të tatimit në pronë pa dëshminë se personat në fjalë janë të liruar nga kjo taksë prej 10 euro – vërtetime për regjistrimin e automjeteve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në konsultim me prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë e dyshuara është dërguar në mbajtje prej 48 orë./Gazeta inFokus/