Ahmeti: Të gjitha parkingjet private në Prishtinë duhet të aplikojnë për leje

Tollovia në qendër të Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se të gjitha parkingjet private që operojnë në Prishtinë duhet të aplikojnë për leje për të operuar, gjithashtu, ka thënë se afati i fundit për aplikim është 15 dhjetori i këtij viti.

“Sipas rregullores së re të Komunës së Prishtinës që e kemi kaluar para dy muajsh, të gjitha parkingjet private që operojnë në komunën e Prishtinës duhet të aplikojnë për leje dhe t’i marrin masat për operimin normal dhe me rregull të parkingjeve. Afati i aplikimit është deri më 15 dhjetor 2019”, ka shkruar Ahmeti.

Më poshtë janë kushtet që duhet të plotësohen, e të cilat i ka publikuar kryetari Ahmeti në Facebook:

“P.S. po ashtu ju njoftojmë se me 3 janar fillon funksionimi i parkingjeve publike me pagesë në zonën 1 qendër. Për informata të detajshme do të ketë fushatë vetëdijësuese mbi kufizimet dhe të drejtat e banorëve/rezidentëve të lagjeve”, shkruan Ahmeti.

NJOFTIM PUBLIK

NJOFTOHEN të gjithë operatorët e parkingjeve private në territorin e komunës së Prishtinës, se prej datës 30 Tetor 2019, fillon shqyrtimi i kërkesave për t’u pajisur me leje për parkingje private.

Rregullorja nr. 01-011/02-187748/19 për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të komunës së Prishtinës, ka hyrë në fuqi me datë 19.08.2019 dhe sipas nenit 4, paragrafi 3 të gjitha parkingjet private duhet t’i përmbushin kriteret si vijon:

– Të kenë shenjëzimin horizontal dhe vertikal;

– Kyqja të mos lejohet në rrugën e cila ka më tepër se dy shirita për kahje të njëjtë të lëvizjes.

– Parkingu duhet të ketë qasje direkte në rrugë, jo të kalojë përmes trotuarit.

– Shtrimin me kubëza betoni, asfalt;

– Të ketë sistemin e kamerave;

– Lokacioni të jetë hapësirë parkimi sipas planit urban;

– Hapësira për vendparkim të ketë së paku 20 vendparkime;

– Hapësira e parkimit mund të lejohet edhe në destinime të tjera, e cila ka karakter te përkohshëm, por që nuk pengon realizimin e planit rregullues dhe të jetë sipas kritereve të caktuara në këtë nen.

– Dokumentacioni i nevojshëm për marrjen e pëlqimit për kyqje dhe të hapësirës së vendparkimit:

– Origjinali i kopjes së planit dhe certifikata e pronësisë jo më e vjetër se 6 muaj, apo kontratë e noterizuar për shfrytëzimin e hapësirës;

– Projektin për kyqje dhe funksionet e hapësirës së vendparkimit, i hartuar nga inxhinieri i komunikacionit rrugor;

– Certifikatën e biznesit për ushtrimin e veprimtarisë perkatëse;

“OBLIGOHEN të gjithë operatorët që kanë parkingje ekzistuese të i përmbushin kriteret si më lartë dhe të pajisen me leje në Drejtorinë e Urbanizmit deri me datën 15 Dhjetor 2019, në të kundërtën Drejtoria e Inspekcionit fillon shqiptimin e gjobave të parapara sipas dispozitave ndëshkuese të Rregullores nr. 01-011/02-187748/19 për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të komunës së Prishtinës”, përfundon njoftimi i Ahmetit.