PDK-ja thotë se aktivistë të VV-së kanë sulmuar veprimtarin e kësaj partie në Ferizaj, Jakup Sabedinin

Dega e PDK-së në Ferizaj ka thënë se të shtunën e kaluar aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, kanë sulmuar aktivistin e devotshëm politik të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj dhe humanistin, Jakup Sabedini.

Sipas njoftimit për media të kësaj partie, Sabedini “ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku ofrimi i shërbimeve urgjente mjekësore ishte i pashmangshëm”.

Rasti, sipas degës së PDK-së në Ferizaj, është raportuar menjëherë tek organet e sigurisë, porse deri më tani nuk ka asnjë veprim që do ta ndriçonte rastin në plotni.

“Kryesia e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, përmes këtij reagimi, dënon fuqishëm këtë akt të dhunës të motivuar politikisht dhe fton organet e drejtësisë dhe ato të sigurisë ta ndriçojnë këtë rast dhe të mbajnë përgjegjës kryesit deri në dënimin meritor. Shembujt e tillë ku spiralja e dhunës shtrihet mbi aktivistët politik dhe humanistët e dalluar, thyejnë rëndë besimin e qytetarëve në forcat politike dhe humbin përfundimisht parametrat e një gare e pjesëmarrje të ndershme në subjektet e aktivitetet politike”, ka thënë dega e PDK-së në Ferizaj.

PDK-ja thotë se aktivisti Sabedini ishte i anëtar i shtabit zgjedhor lokal në PDK-në e Ferizajt në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa thekson se ky edhe ka qenë “motivi që nxiti sulmin ndaj tij nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! e si rrjedhojë, kërcënimet e tilla kanë ndodhur për një interval të konsiderueshëm kohor”.

Ndërkaq, Koha.net ka kontaktuar Lëvizjen Vetëvendosje, por deri në momentin e raportimit nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ta për këtë rast.