Telekomit të Kosovës i janë bllokuar llogaritë bakare

Sot gjatë ditës i janë bllokuar llogaritë bankare Telekomit të Kosovës. Telekomi i Kosovës është futur në krizë të thellë financiare tani e sa kohë për shkak të borxheve të shumëta të grumbulluara.

Ka reaguar kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, i cili ka thënë se krejt kjo situatë ka ardhur pas disa obligimeve që telekomi i ka ndaj ATK-së.

“Kemi bërë kërkesë për rimbursim në kuptimin që është i kontestueshëm prej tyre që i kemi dërguar edhe në Gjykatë që kemi të drejtë ligjore me u rimbursu ai borxh, mirëpo duke e parë gjendjen e dhënë të pajisjeve teknike operative  çfarë i kemi na kemi bërë presion edhe përmes operatorit tonë ekonomik ndërkombëtar që me arrit një marrëveshje duke ardhur deri tek një trajtim më i kujdesshëm për shkak se kemi një kontratë të lirë për ta rregulluar sistemin operativ brenda Telekomit të Kosovës”, ka thënë Istrefi.

Ai po ashtu ka treguar se kanë bërë kërkesë për një afat më të gjatë për këstin e pagesës ndërsa papritur është marr vendimi për bllokim të llogarive.

“Edhe pse, me ligj nuk lejohet bllokimi i llogarive kur rrezikon falimentimin dhe mirëqenien e punëtorëve. Kjo ndodhë vetëm tek ne. Ne jemi në negociata, sot kam pasur takime me ta, kam pasur edhe të premten, edhe të enjte, gjithmonë me shpresën që do të bëjmë zgjidhje të problemit pa dashur të ngutemi me ndonjë deklaratë, deri ta dimë përfundimin e epilogut se çka po vjen. Shpresoj që sot ose nesër gjatë ditës të ketë diçka konkrete”, është shprehur ai.

Bedri Istrefi, ka thënë se nëse u lirohen llogaritë, do t’i kryejnë rrogat e punëtorëve në afat kohorë, mirëpo ende nuk ka asgjë konkrete.

Borxhi më i madh që ka kjo kompani është mbi 26 milionë euro ndaj kompanisë “Z-mobile”, i cili ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumator në nivel vendi.

Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare llogaritet të jetë mbi 730 euro.