Katër incidente zjarri në 24 orët e fundit në Kosovë – katër persona kërkojnë ndihmën e mjekut

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është bërë e ditur se gjatë kësaj periudhe të raportimit janë shënuar katër incidente zjarri në vendin tonë.

Në Ferizaj, raportohet se dje në orën 22:00 ka ndodhur një rast i cilësuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka informuar se në afërsi të lokalit të tij një kompani që është duke kryer punime kanë rrëzuar një shtyllë elektrike, ku si pasojë dyshohet se është përfshirë në zjarr lokali i tij. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin”, njoftoi Policia.

Edhe në Dragash, dje në orën 03:50 pas mesnate, ankuesi mashkull, shqiptar i Kosovës, ka informuar Policinë se ka shpërthyer një zjarr dhe si pasojë janë djegur një stallë, një shtëpi, një objekt përcjellës disa mjete pune dhe disa gjësende tjera.

“Njësiti i zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar”, njofton PK.

Në Istog, po ashtu dje rreth orës 12:30, është arrestuar i dyshuari mashkull, shqiptar i Kosovës, pasi që i njëjti i kishte vënë zjarrin livadheve të bjeshkës së Çorovodës.

Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar.

Kurse në Klinë dje në orën 02:58 ka ndodhur një rast i zjarrëvënies aksidentale.

“Viktima mashkull K-Shqiptar raporton se është duke iu djegur shtëpia, ku si pasojë e zjarrit lëndime trupore pësojnë katër persona dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Pejës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e zjarrfikësve dhe njësitë e tjera përkatëse”, ka thënë Policia.

Ndërkaq, lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt