Kurti: Shqipëria nuk e përkrah shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë

Foto ilustrim

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur në Tiranë se është i bindur se Shqipëria është kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër se me herët është thënë se kryeministri Rama përkrah shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti tha se Republika e Shqipërisë është kundër kësaj teze.

“Republika e Shqipërisë nuk është për shkëmbim territorial”, tha shkurt Kurti.

Kurti i cili po qëndron në Samitin e Paqes të Evropës Juglindore, i cili po mbahet në Tiranë, para gazetarëve foli edhe për shumë çështje të tjera, derisa tha se janë duke punuar për harmonizim të programeve me LDK-në për qeverisjen e ardhshme.

Kurti po ashtu përsëriti se dialogu me Serbinë mund të fillojë para pranverës sa vitit të ardhshëm, por s’mundet të përfundojë para zgjedhjeve në Serbi.

Për raportet me Ramën, Kurti tha se nuk i kanë pasur të ç’rregulluara.

“Biseduam për çështjet që i kemi të përbashkëta, për çështjet në dy shtetet tona. Duam që edhe në aspektin e politikës së jashtme, por edhe të ekonomisë të bashkërendohen Kosova me Shqipërinë sepse efekti sinergjik që do të kemi natyrisht nuk është shfrytëzuar sa duhur. Besoj që mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat janë shumë më të mëdha se realiteti që e gëzojnë… ne nuk kemi pasur marrëdhënie të ç’rrëgullta, jemi njerëz të ndryshëm, politikanë të ndryshëm, duhet të bashkëpunojmë që dallimi që kemi dhe mospajtimet që kemi nuk duhet të rrezikojnë bashkëpunimin tonë”, tha ai, përcjell Kosovapress.

Mundësinë e mini-shengenit ballkanik, Kurti nuk e mohoi por tha se duhet parë me kujdes se çfarë përmban ai.

“Unë pres që të shoh një tekst se çfarë nënkupton ai, sepse më ngjan më shumë me ide, sesa me projekt. Pra duhet të shohim projektin në letër”, tha ai.

Për koalicionin e ardhshëm me LDK-në, Kurti tha se janë në fazën e harmonizimit të programeve.