Ka nisur Konferenca Mesdhetare e OSBE-së, e kryeson Shqipëria

“Shqipëria synon sot të dërgojë një mesazh të qartë miqësie për të gjithë partnerët tanë të Detit Mesdhe”.

Kështu ka deklaruar sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në nisje të punimeve të Konferencës Mesdhetare të OSBE-së që ka ngritur siparin në Tiranë dhe ka kulmuar me kryesimin e Grupit të Kontaktit për Mesdheun nga Shqipëria, me pjesëmarrjen e 57 vendeve anëtare si dhe vendeve mesdhetare, (Egjipti, Jordania, Izraeli, Algjeria, Maroku dhe Tunizia).

Ministri Cakaj theksoi se, në fokus të Konferencës, është përvoja 25 vjeçare e partneritetit të OSBE-së me vendet e Mesdheut, duke u ndalur në rëndësinë e dialogut, përballimin e sfidave të përbashkëta dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim.

“Qëllimi ynë këtë vit, si dhe gjatë kryesisë sonë në përgjithësi, është ta mbajmë lart Mesdheun në agjendën e OSBE dhe t’i japim atij vëmendjen që meriton”, u shpreh ministri Cakaj.

Ai shprehu besimin se synimi është shfrytëzimi i mundësive për të shkruar një kapitull tjetër të bashkëpunimit mesdhetar.

“Ne jemi partnerë me sfida të përbashkëta, prandaj, nuk kemi alternativë tjetër përveç se të ndërtojmë një vizion të përbashkët. Ne dëshirojmë të krijojmë një Partneritet Mesdhetar, i cili bazohet në parimet e përfshirjes më të thellë dhe përgjegjësive të përbashkëta”, theksoi ministri. /ATSH/