Majlinda Kelmendi fiton të artën në Abu Dabi

Një tjetër sukses i madh për sportin e Kosovën vjen nga xhudoja dhe mbretëresha Majlinda Kelmendi.

Kampionia olimpike e ka fituar medaljen e artë në Gran Slamin e xhudos “Abu Dabi”, që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në finalen dramatike, e cila u vendos në kohën shtesë për gati 8 minuta, xhudistja kosovare e mposhti italianen, Odette Giuffrida në kategorinë deri në 52 kg.

Finalja e së enjtes, ishe përsëritje e vitit 2016, ku Kelmendi e kishte mposhtur Giuffridan dhe e kishte rrëmbyer të artën olimpike në Rio të Brazilit, në vitin 2016.

Për të arritur te suksesi i radhës, 28-vjeçarja e artë, mposhti me ippon, Fofanan e Bregut të Fildishtë, Kazyulinën e Kazakistanit, koreanen Park si dhe në gjysmëfinale triumfoi përballë britanikes, Chalsie Giles.

Në pesë meçe që pati, katër prej tyre i fitoi me pikën më të fortë në xhudo.

Pa medalje në “Abu Dhabi” mbeti Nora Gjakova, e cila pavarësisht fitores në rrethin e dytë, u mënjanua në raundin e tretë nga koreania Hyo Son.

Në garë nga xhudistët kosovarë, janë edhe Akil Gjakova në kategorinë deri në 73 kg dhe Loriana Kuka në 78 kg. Gjakova do të garojë të premten, kurse Kuka të shtunën.