Katër fajdexhi në paraburgim për një muaj

Gjykata Themelore e Prizrenit ka vendosur nga një muaj paraburgim për katër persona që dyshohen se janë marrë me fajde.

Të katërtit janë nga Suhareka me inicialet A.B., F.B., L.B., dhe F.Sh. të dyshuar se u morën me fajde dhe detyrim.

Sipas prokurorisë, ata kanë “kanë pranuar ose kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, të banimit, varfërinë, papërvojën ose aftësinë për të gjykuar  të personave tjerë që kanë rezultuar me humbje financiare me mbi 25 mijë euro.”

Tutje në dosjen e prokurorisë thuhet se  të pandehurit përdorën forcën apo kanosjen serioze për ti detyruar personat tjerë në këtë rast të dëmtuarit që të kryejnë veprim në dëm të pasurisë së tyre që ka rezultuar me dobi pasurore në shumën që i tejkalon 10 mijë euro.