Arrestohet një person i dyshuar për krime lufte

Ilustrim

Është arrestuar të mërkurën në Prishtinë një person i dyshuar për krime lufte gjatë luftës në Kosovë.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se është arrestuar personi me inicialet N.A, me dyshimet që ka kryer krime lufte gjatë luftës në Kosovë. Prokuroria kërkon paraburgim për personin e arrestuar.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.A. i dyshuar se kishte kryer veprën penale të krimeve të luftës ndaj popullatës civile në Prishtinë gjatë luftës në Kosovë. Prokurori i rastit gjatë ditës ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti Special”, kanë njoftuar nga prokuroria.

Policia ndërkaq sot ka njoftuar se personi dyshohet se ka kryer krime luftës në majin e vitit 1999 në lagjen Emshir në Prishtinë.

 “Është arrestuar i dyshuari mashkull K-serb, nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile”, thekson raporti. Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.