Lirohen nga spitali 12 pacientët që patën reaksion alergjik nga zarfet me vota nga Serbia

Janë liruar nga spitali 12 pacientët që kërkuan ndihmë pas reaksioneve alergjike kur po numëronin votat e ardhura nga Serbia.

Ata kanë qenë të shtrirë që nga java e kaluar në Klinikën Infektive në QKUK dhe janë liruar të premten nga spitali.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës Infektive, Linda Ajazaj-Berisha, ka thënë për KTV-në se pacientët janë liruar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

“Gjendja shëndetësore, në momentin kur i kemi liruar pacientët, ka qenë e mirë. Ne i kemi përjashtuar sëmundjet apo shkaktarët infektivë. Ata kanë pas reaksione alergjike me të cilat tash e tutje merren organet tjera të hetuesisë që kanë filluar me procedura”, tha Ajazaj-Berisha.

Prokuroria po i vazhdon hetimet pas raportimeve se te këta persona janë shfaqur reaksione alergjike pas hapjes së zarfeve të ardhur nga Serbia.

Fillimisht më 13 tetor me simptoma të njëjta ishin paraqitur 20 zyrtarë të KQZ-së e 12 prej tyre ishin të shtuar në QKUK.

Mostrat e zarfeve me votat nga Serbia, Prokuroria i ka dërguar për ekzaminim për alergji jashtë Kosovës.