Azem Syla ftohet nga Gjykata Speciale

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëri nga themeluesit e saj, Azem Syla, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Po, ka marrë ftesë për intervistim”, tha avokati i tij mbrojtës, Besnik Berisha, për Telegrafin.

Po sot  edhe ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, ka konfirmuar se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale

Ai është ftuar nga Tribunali Special në cilësinë e dëshmitarit  dhe do të intervistohet për tri ditë rresht në Hagë.

Miftari ka deklarauar se nuk e ka problem edhe po të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit, pasi luftën e UÇK-së e vlerëson të drejtë

Ndërkohë numri i personave të ftuar deri më tani nga Gjykata Speciale ka arritur të kalojë shifrën 100, teksa pjesë e intervistimeve ishin edhe figurat e rëndësishme të skenës politike në vend, si: kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa dhe ish-komandanti Sami Lushtaku, një ndër udhëheqësit kryesorë të Noredimës, Shukri Buja, Time Kadrijaj, Sylejman Selimi e shumë ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së. /Telegrafi/