VV dhe LDK takohen për harmonizim të programeve

Grupi punues i Vetëvendosjes ka takuar grupin punues të LDK-së, në selinë qendrore të kësaj të fundit, me qëllimin e harmonizimit të programeve.

Po mbahet takimi i parë për harmonizim të programeve të paralajmëruara pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, në selinë e LDK-së.

Pjesë e takimit nga Vetëvendosja janë Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu dhe Besnik Bislimi. Nga LDK-ja, ndërkaq, grupi punues përbëhet nga Avdullah Hoti, Kujtim Shala e Lumir Abdixhiku.

Ky është takimi i parë, pasi që paraprakisht ishte diskutuar në nivel të liderëve.

Grupet punuese janë deklaruar përmes një deklaratë të përbashkët për këtë takim duke e bërë të ditur se dy grupet janë dakorduar lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes.

“Në vazhdimësi të takimit të dy liderëve të LDK-së dhe LVV-së, sot në Selinë e LDK-së është mbajtur takimi i grupeve punuese lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës. Dy grupet punuese u dakorduan lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë bëhet e ditur se në takim u shqyrtuan temat kryesore politike dhe reformat kyçe sektoriale të cilat e presin Qeverinë e re. Gjithashtu bëhet e ditur se palët janë dakorduar për intensifikimin e takimeve dhe që takimi i radhës të mbahet të mërkurën nga ora 15:00 për të konkretizuar diskutimet e sotme.

Këto takime mes dy partive po vazhdojnë si përpjekje për të harmonizuar programet partiake në rast të arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.

Nga zgjedhjet e 6 tetorit, LVV-ja ka dalë e para, ndërsa LDK-ja e dyta. Kurti ka thënë se në rast se nuk arrihet koalicioni me partinë që drejton Isa Mustafa, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.