Prokuroria në Prizren nuk ia dorëzon ekspertizën familjes Dehari, pa u përkthyer së pari

Prindërit e Astrit Deharit kanë deklaruara se prokuroria në Prizren nuk ua ka dhënë rezultatin e ekspertizës së bërë në Zvicër për rastin e të birit të tyre, në gjuhën me të cilën është punuar ajo ekspertizë.  

Avni Dehari ka thënë para mediave pas takimit me prokurorët se të njejtët nuk ia dhanë raportin, kjo me arsyetimin se ai do të ju dorëzohet pasi që të përkthehet. Familja të njëjtin e ka kërkuar në gjuhën me të cilën është punuar ajo ekspertizë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala ka njoftuar të enjten për arritjen e ekspertizës nga Zvicra.

Shala ka bërë të ditur se ekspertiza është në përkthim dhe familja e Astrit Deharit do të merr një kopje të përkthimit.

“Sot kemi pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës së rastit të Astrit Deharit nga Instituti në Lozanë të Zvicrës. Nuk e dimë çka ka përbrenda, sot është dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit. Ne këtë do t’ia dorëzojmë prokurorit të rastit që do ta hapë dhe do të dorëzohet për përkthim”, ka thënë Shala.