FSK zuri vendin e dytë në garën ndërkombëtare “Cambrian Patrol 19”

Ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës arriti që të rrëmbej medaljen e argjendtë në njërën prej garave ushtarake më prestigjioze në botë „Cambrian Patrol 19“.

Kjo garë ka filluar më 16 tetor dhe zgjati 48 orë pandërprerë, ku morën pjesë gjithsej 132 ekipe, prej të cilave 34 ishin nga shtetet e ndryshme.

“Kjo është hera e tretë që FSK-ja po merr pjesë në garën ndërkombëtare ushtarake „Cambrian Patrol“, e cila organizohet nga Brigada e Këmbësorisë 160-të e Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar,” shkruan MFSK.

Në garën e mbajtur në Mbretërinë e Bashkuar morën pjesë edhe ekipet e forcave të armatosura të vendeve të rajonit, si nga Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Greqia.

Gara „Cambrian Patrol 19“ është një aktivitet shumë sfidues dhe prestigjioz ushtarak që teston të gjitha aftësitë themelore ushtarake të ushtarit të sotëm, duke rritur aftësinë e udhëheqjes dhe nivelin e qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë.