Raporti për Deharin arrin në Prokurori, tek familja pas përkthimit në shqip

Prokurori i Shtetit përmes një kumtese për media njofton se raporti i ekzaminimit për rastin e Astrit Deharit ka arritur në zyret e tij më 17 tetor.

Zyra e Prokurorit thekson se raporti do t’i dërgohet familjes së tij dhe do të bëhet publik për media sapo të përkthehet në gjuhën shqipe, sepse tani është në gjuhën origjinale, atë zvicerane.

“Sot me datë 17 tetor 2019, nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, ka pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit. Për hir të informimit të drejtë, Prokurori i Shtetit me të pranuar këtë raport, do ta dërgoj atë për përkthim në gjuhën shqipe, pasi që ky raport është pranuar në një nga gjuhët zyrtare të shtetit të Zvicrës, dhe në momentin që raporti të përkthehet dhe analizohet nga prokurori i rastit, konform dispozitave ligjore do t’i dërgohet avokatit të familjes Dehari, si dhe do të bëhet publik për opinionin”, thuhet në komunikatë.

Prokurori i Shtetit bën thirrje që me përmbajtje dhe profesionalizëm të pritet publikimi dhe rezultati i tij,  deri në përkthimin e tërësishëm të këtij raporti në gjuhën shqipe, thuhet në kumtesë,

“Prokurori i Shtetit do të iu njoftoj me kohë për datën dhe orën e publikimit të raportit në fjalë”, thuhet tutje.