Në fillim të dhjetorit pritet të fillojë gjykimi i rastit “Veteranët”

Në fillim të muajit dhjetor të këtij viti është paraparë që të fillojë shqyrtimi gjyqësor i rastit të njohur si “Veteranët”.

Aktakuza për rastin “Veteranët” tashmë është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit. Gjykatësja e rastit, Nushe Kuka-Mekaj, ka vendosur që shqyrtimi gjyqësor të nis më 4 dhjetor, për të vazhduar edhe më 5 dhe 6 dhjetor të vitit 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare janë ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Në seancën fillestare të mbajtur më 14 mars, të gjithë të akuzuarit kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.