Personat e arrestuar në Mitrovicë ishin nën ndikim të grupit kriminal të Radoiçiqit

Ilustrim

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë mbajtur konferencë për media lidhur me arrestimet e sotme në Mitrovicë, lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se operacioni ndërlidhet me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

“Janë përfshi 3 lokacione, janë kryer bastisje dhe kontrolle për veprat penale organizim të grupit kriminal dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare. Personi i dytë i kërkuar nuk është gjetur në vendet e kontrolluara. PK gjatë këtij operacioni ka arritur të konfiskoj 6 armë, prej tyre 2 zyrtare por edhe gjëra të tjera”, tha Kelani, raporton KTV.

Ndërkaq, prokurori i PSRK-së Sylë Hoxha, tha se “me 14.10.2019 është marrë vendim për zgjerim hetimesh edhe për dy zyrtarë policorë të veriut”.

“Njëri është arrestuar dhe tjetri është ende në kërkim. Hetimet janë zgjeruar për veprat penale organizim ose pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare. E kam intervistuar personin e arrestuar dhe kam kërkuar masën e paraburgimit për të. Për personin që i është gjet arma dhe nuk ka qenë i kërkuar, është liruar pas intervisitimit. Dyshohet për armëmbajtje pa leje”, tha ai.

Hoxha tha se në veri ekzistojnë grupe kriminale që udhëhiqen nga Milan Radoiçiq.

“Grupi i tij është mjaft mirë i organizuar dhe ka ndikim fatkeqësisht në polici dhe strukturat shtetërore atje. Personat që janë arrestuar kanë qenë nën ndikim të këtij grupi të Radoiçiqit. Ata kanë fsheh prova, nuk i kanë kry detyrat e kërkuara dhe jo vetëm në vrasjen e Ivanoviqit por edhe vrasje tjera të pazbuluara kurrë. Për to nuk janë ndërmarrë veprime të nevojshme procedurale për t’i hetuar”, tha ai.