Imami kosovar që akuzohet për rrahje të gruas, dëbohet nga Zvicra

Imami kosovar, Fehim Dragusha, ka reaguar pasi që është dëbuar nga Zvicra për shkak se kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij e për qëndrimet e tij kontroverse karshi ligjit zviceran, shkruan Gazeta Express.

Dje gazeta zvicerane “Blick” ka raportuar se shteti zviceran ka dëbuar për në Kosovë 37-vjeçarin Fehim Dragusha pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij e për qëndrimet kontroverse të tij karshi ligjit zviceran, shkruan gazeta express.

37-vjeçari është detyruar nga shteti ta lërë Zvicrën. Kantoni i Saint Gallen nuk ia ka vazhduar atij lejen e qëndrimit atje.

Kjo është vendosur nga Gjykata Federale Supreme. Imami dyshohet të ketë ushtruar dhunë fizike dhe seksuale ndaj gruas së tij, nga ku viktima më pas është dërguar në qendër të rehabilitimit.

Çifti kishte ardhur në Zvicër katër vjet më parë dhe jetonin ndaras. Me agresorin, viktima kishte një fëmijë teksa në një martesë të mëhershme ajo kishte katër fëmijë të tjerë.

Policia, sipas gazetës i ka marrë si kredibile deklaratat e viktimës. Ajo ka vërtetuar se burri i saj ka ushtruar dhunë fizike, mentale dhe seksuale.

Vendimi i Gjykatës Supreme Federale ka konstatuar tutje se imami në fjalë nuk është socializuar me ligjet dhe jetën në Zvicër.

Për këtë vendim ka reaguar përmes rrjetit social Facebook vetë Dragusha. I njëjti përmes këtij shkrimi ka thënë se akuzat për të cilat është shkruar në mediat zvicerane nuk janë verifikuar nga organet kompetente.

I njëjti po thotë se sot kishte pasur që të intervistohet për një media zvicerane, derisa, të njëjtit e kishin lajmëruar se nuk do të publikojnë asnjë version të tij.

Dragusha ka shkruar se Zvicra shumë shpesh është kritikuar dhe akuzuar për raste kur në pyetje është islami ose myslimanët.

“Sido që të jetë, duke parë se Zvicra shpesh herë është kritikuar dhe akuzuar për raste kur në pyetje ishte Islami ose myslimanët, unë nga sot do filloj që te dërgoj ankesën time dhe se bashku me avokatë te tjerë, të cilët kanë shprehur deshirën e tyre për t’me mbrojtur mua dhe familjen time, do t’i drejtohemi Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut me seli në STRASBURG.

Në këtë Gjykatë do të ankohem për të gjitha padrejtesitë që ka bërë shteti, si KESB, Kreisgericht dhe Bundesgericht.

Nuk ka dyshim se të gjitha këto procedura do të kushtojnë shumë shtrejt, por edhe përkrahja e vëllezërve dhe motrave në Zvicër nuk do të mungoj, prandaj publikisht i bëj thirrje të gjithve që t’me përkrahin dhe e vërteta te dal në shesh. Dua ta mbroj dinjitetin tim dhe dinjitetin e familjes sime.

Nëse duhet ta leshoj zvicren, këtë e bëjë me gjithë deshirë, por asnjëherë nuk pranoj që ta leshoj zvicren si përdhunues ose njeri që kam ushtruar dhunë ndaj ish-gruas. Për fund, dua te ndaj me gjithë ju se nuk është e rastesishme që ky vendim vie pak ditë para zgjedhjeve që do mbahen në Zvicer”, ka shkruar Dragusha.