Zyra e BE-së në Kosovë kërkon nga qeveria në largim të mos emëroj noterët e rinj

Zyra e BE-së në Kosovë përmes një reagimi ka kërkuar nga qeveria në largim që të mos marrë asnjë vendim lidhur me përzgjedhjen dhe emërimin e noterëve të rinj të Kosovës.

“U bëjmë thirrje autoriteteve në largim të Kosovës të përmbahen nga emërimi i çdo noteri sepse ne besojmë fuqishëm që vendimi në këtë drejtim duhet t’i lihet qeverisë së re”, theksohet në reagimin e Zyrës së BE-së.

Zyra e BE-së thekson se mbështet palëkundshëm Profesionet e Lira Ligjore në Kosovë dhe në këtë drejtim thotë se ka mbështetur autoritetet lokale dhe këto profesione drejtpërdrejt për t’i forcuar ato për kah numri dhe statusi i tyre.

Në reagim, thuhet tutje, kjo përfshin edhe noterët të cilët thotë se janë garantues i kontratave të ligjshme dhe legale dhe parandalojnë mashtrimet me dokumentacione.

“Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të rregullt dhe të ligjshëm të noterëve është thelbësor për të nxitur besimin që shoqëria i jep individëve që luajnë këtë rol të përgjegjshëm. Për rrjedhojë, ky proces duhet të jetë i lirë nga çdo pretendim për parregullsi, qofshin ato pretendime të vërteta apo të perceptuara”, ka theksuar Zyra e BE-së në reagimin e saj.

Ditë më parë, procesi i përzgjedhjes së noterëve nga Ministria e Drejtësisë, përveç reagimeve në Kosovë, ka nxitur edhe reagimin e përbashkët të Unionit Ndërkombëtar të Noterëve dhe të Odës Federale Gjermane të Noterisë.