Gjendja stabile e personave që patën kontakt me zarfet e ardhura nga Serbia

Gjendja shëndetësore e 11 personave që patën kontakt me zarfet me vota të ardhura nga Serbia është stabile.

Kështu ka deklaruar infektologia Lindita Ajazaj-Berisha për rastin e 11 personave, nga 26, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK, që iu shkaktua alergji në fytyrë dhe duar pas kontaktit me zarfet me vota të ardhura nga Serbia.

“Ne jemi duke e mbikëqyrur gjendjen shëndetësore të këtyre pacienteve. Gjendja shëndetësore e të gjithave është sabile”, ka deklaruar Ajazaj-Berisha për Express.

Nëntë femra dhe dy meshkuj, nga 26 që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, janë hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dy nga gratë janë shtatëzëna. Ato ende janë duke u trajtuar në klinikën infektive të QKUK-së.

Tutje, mjekët janë duke i pritur rezultatet e analizave të cilat i janë marrë këtyre pacienteve gjatë ditës së djeshme.

“Po i presim rezultatet. Jemi duke i përfunduar të gjitha ekzaminimet e nevojshme”, ka sqaruar doktoresha e infektivës.

Pacientët kanë deklaruar se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimevee kanë ndjerë një kundërmim.

Prokuroria Themelore e  Prishtinës është duke trajtuar këtë rast të cilët ende janë duke i vazhduar hetimet.

“Po rasti tashmë është tek ne. Ne për këtë çështje jemi duke i vazhduar hetimet”, tha ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit në Themeloren e Prishtinës, Kujtim Munishi.

Megjithëkëtë, për shkak të mungesës së rezultateve, nuk dihet ende se si erdhi deri te paraqitjet e alergjive te këta persona. Andaj, autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar se mostrat e këtyre zarfeve do të hetohen nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, për të vërtetuar se për çfarë bëhet fjalë.