Kombëtarja turke mund të ndëshkohet nga UEFA për mënyrën e festimit të golit

Turqia mund të ndëshkohet nga UEFA për shkak të festimit të lojtarëve në mënyrë ushtarake pas ndeshjes me Shqipërinë, ku fituan 1 me 0.

Turqit kanë festuar në mënyrë të shfrenuar, duke kapërcyer edhe mbrojtëset e reklamave pasi bënë një hap të madh drejt kualifikimeve për Euro 2020. Cenk Tosun shënoi gol në minutën e 90 të ndeshjes ndaj Shqipërisë, transmeton koha.net.

Por pas kësaj, pothuajse i gjithë ekipi përshëndetën tifozët në mënyrë ushtarake, me dorë te koka sikurse ushtarët.

Kjo është bërë për të mbështetur aksionet e kontestuara ushtarake të Turqisë në Siri kundër kurdëve.

Turqia ka filluar një ofensivë ushtarake ajrore në Siri kundër luftëtarëve kurdë, ku raportohet për viktima të shumta të civilëve, raporton The Sun.

UEFA dënon të gjitha deklaratat politike ndërsa nuk dihet nëse përshëndetjen e lojtarëve do ta konsiderojë të tillë.