LDK ndal negociatat me LVV, vazhdojnë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të premten që ti pezullojë negociatat me LVV e t’i vazhdojë ato vetëm pas numërimit të votave me kusht e të diasporës.

Pas takimit që ka zgjatur dy orë, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se kanë diskutuar për koalicionin e mundshëm me VV-në, por që për të njëjtin do të vendoset vetëm pasi që të numërohen krejt votat.

“Sot në kryesinë e LDK-së, diskutuam edhe njëherë faktin që kemi një rezultat mjaft të ngushtë me VV-në pra jemi 50:50, atëherë po presim certifikimin e rezultateve finale nga KQZ-ja, duke mos përjashtuar edhe 45 mijë vota nga mërgata me kusht e të personave me afëtsi të kufizuara, prandaj negociatat do t’i zhvillojmë në momentin kur do të numërohen votat,” tha Mustafa.

“Pavarësisht se kush del partia e parë ne do ta respektojmë vullnetin. Sot ne kemi diskutuar faktin që kemi një rezultat të ngushtë, nëse përpjestohet me dy kemi më pas se 2.500 vota dallim”, ka thënë ai.

LDK dhe VV kishin paraparë që sot të angazhonin grupe punuese për të biseduar për koalicionin e mundshëm paszgjedhor.