Shpallen fituesit e çmimit Nobel për letërsi

Olga Tokarczuk dhe Peter Handke janë dy fituesit e çmimit nobel për letërsi.

Shkrimtari austriak, Peter Handke, i njohur për qëndrimet e tij kundër bombardimeve të NATO’s që sollën lirinë e Kosovës, është shpallur fitues i çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019.

Emri i tij dhe polakes Olga Tokarczuk e cila ka fituar Nobelin për vitin 2018 është shpallur nga Sekretari Permanent i Akademisë Suedeze të Nobelit Mats Malm.

Handke njihet për lidhjet e tij me serbët ndërsa ka kundërshtuar fort edhe bombardimet e NATO’s në vitin 1999 që sollën lirinë e Kosovës.

Ai madje vite më parë ka qëndruar në Kosovë ku serbëve të Hoçës së Madhe ua ka dorëzuar donacionin prej 50 mijë eurosh për ndërtimin e një pishine në fshat.

Akademia Suedeze e Nobelit shpalli sivjet dy fitues sepse vitin e kaluar ishte anuluar gara për shkak të një skandali seksual që kishte goditur akademinë.

Jean-Claude Arnault, burri i një anëtareje të Akademisë Suedeze, Katarina Frostenson, u akuzua për abuzim seksual serial dhe shfrytëzim.

Frostenson ishte akuzuar se i kishte siguruar Arnault emrat e shtatë laureatëve të çmimit Nobel.  Arnault u zbulua më vonë se i kishte rrjedhur në publik emrat.  Arnault është dënuar me dy vjet burgim për përdhunim ndërsa Frostenson është larguar nga Akademia.