Kurti dhe Osmani përfundojnë takimin e parë

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë përfunduar takimin e parë të enjten për të diskutuar çështje të shumta për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.

Dy partitë e para, LVV dhe LDK, respektivisht Albin Kurti dhe Vjosa Osmani thanë se në takim kanë diskutuar për nivelin e parimeve e jo te detajeve dhe priten të krijohen grupet punuese për të zhvilluar programin qeverisës.

“Sapo zhvilluam takimin tonë të parë. Më shumë kemi disutuar në nivel të parimeve, jo të detajeve. Të dyja partitë kemi treguar vullnetin e mirë, për të punuar në të mirë të qytetarëve të Kosovës,” tha Kurti para medieve.

Ai ritheksoi se qeveria e ardhshme do të ketë shumë më pak ministri por që puna do të rritet më shumë.

Vjosa Osmani tha se takimi ka shkuar mirë dhe janë dakorduar për krijimin e grupeve punuese për të diskutuar detajet.

“Do të presim edhe numërimin e të gjitha votave, para se të arrijmë marreveshje përfundimtare”, shtoi Osmani.

Kurti dhe Osmani theksuan se sot nuk kanë diskutuar për emra të përveçëm të personave se kush do të marr cilën ministri.

“Kosova ka humbur shumë kohë, dhe pritjete e qytetarëve janë të larta, pa humbur kohë kemi nisur diskutimet, duke nisur me idenë e përbashket për një qeveri sa më efikase,” tha Kurti.

Ai shtoi se qeveria e ardhshme do të respektojë Kushtetutën e vendit duke ofruar një pozitë për ministër na radhët e komunitetit serb.

“Nuk do të vrapojmë kah Lista Serbe pas biseduar me serbët që janë jashtë asaj liste, pa diskutuar me serbët që respektojnë kushtetutën dhe pavarësinë e Kosovës,” tha Kurti.