Një muaj paraburgim për vëllain e kryetarit të Vushtrrisë

Gjykata e Mitrovicës ka aprovuar kerkesën e prokurorisë duke caktuar një muaj paraburgim për të dyshuarit Salih Tahiri dhe Shkelzen Kajtazi.

Një ditë më parë Prokuroria e Mitrovicës ka bërë kërkesë pranë gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve pas publikimit në media të një video-incizimi, ku pretendohet se dëgjohet Salih Tahiri dhe i dyshuari tjetër Shkelzen Kajtazi, shkruan Kallxo.com.

Salih Tahiri është vëllai i kryetarit të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Ndërsa prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur të martën ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar dy të dyshuarve masën e paraburgimit prej 1 muaji.

Policia e Kosovës i ka arrestuar në Mitrovicë këta dy persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale – ushtrim i ndikimit.

Ditë më parë, është publikuar një video nga një takim që pretendohet të jetë zhvilluar mes vëllait të Xhafer Tahirit, Salihut, dhe Kajtazit, gjatë të Tahiri dyshohet se premton leje ndërtimore dhe merr ryshfet.