Ish-drejtori i Prizrenit dënohet më 3 mijë euro, ka lidhur kontrata pa tender

Ish- Drejtori i Shërbimeve Publike në Prizren, Hasan Hasani, është dënuar me 3 mijë euro gjobë nga gjykata e Prizrenit për shkak të lidhjes së disa kontratave pa hapur tender.

Hasani që ishte drejtor në periudhën në vitet 2015 – 2016 akuzohet se lidhi kontrata në vlerë 7 mijë euro pa procedura të prokurimit, për video reklamuese me media.

Hasani e kishte pranuar fajësinë para gjykatës pas 15 ditësh negociata me prokurorinë, raporton Kallxo.com.

Në marrëveshjen e arritur ndërmjet të akuzuarit dhe Prokurorisë së Prizrenit ishte propozuar dënim me burgim prej 6 muajsh, por me mundësi që ky dënim t’i zëvendësohet me gjobë.

Sipas aktakuzës për periudhën janar – dhjetor të vitit 2015 ai ka lidhur kontratë me ‘TV Opinion’ në vlerë totale prej 3 mijë e 600 euro, ndërsa për periudhën maj – dhjetor të vitit 2016 ka lidhur kontratë me të njëjtin televizion në vlerë totale prej 1 mijë e 600 euro.

Ndërsa me televizionin ‘Besa’,  sipas aktakuzës, ka lidhur kontratë për periudhën kohore prill – dhjetor të vitit 2016 në vlerë totale prej 1 mijë e 800 euro.

Në tërësi shuma për të cilat Hasani akuzohet se ka lidhur kontrata pa tenderim kap lartësinë prej 7 mijë euro.

Sipas aktakuzës i njëjti ka vepruar duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për persona tjerë.

Hasan Hasani në gusht të vitit 2016 ishte emëruar edhe Zëvendësministër për Punë dhe Mirëqenie Sociale, kur u largua nga detyra e Drejtorit në Komunën e Prizrenit.