Sindikata e RTK-së dënon gjuhën fyese të ish-drejtorit, Mentor Shala ndaj votuesve të Kosovës

Kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së (SPRTK)ka dënuar gjuhën fyese të ish-drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shala, të përdorur ndaj një pjese të votuesve të Kosovës, duke i cilësuar ata prorusë e antiperëndimorë, pasi mbështetën Vetëvendosjen.

Kjo Sindikatë ka kërkuar nga Bordi menaxhues i transmetuesit publik të distancohet nga cilësimet e Mentor  Shalës, aktualisht drejtor i RTK-live,ndaj gjuhës denigruese ndaj qytetarëve të Kosovës.

Sindikata ka dal me një reagim duke dënuar ashpër gjuhën fyese të drejtorit të RTK-live, Mentor Shala, i cili pjesën më të madhe të votuesve të vendit tonë i quan prorus dhe antiperëndimor.

Shala ka thënë se “prej sot më larg e kemi shtetin e Kosovës” duke nxitur reagimin e mijëra qytetarëve.

“SPRTK kërkon nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së, që të distancohen nga kjo gjuhë denigruese e drejtorit të Mediave online në RTK, e cila shkelë rëndë kodin etik dhe standardet profesionale të Transmetuesit Publik,” thuhet në reagim të sindikalistëve.

“Organet drejtuese të RTK-së të mos jenë selektiv por rastin ta trajtojnë konform rregulloreve të RTK-së. Transmetuesi Publik është i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe votuesit pavarësisht bindjeve të tyre politike janë qytetarë të vendit tonë,” përfundon reagimi i nënshkruar nga kryetar i SPRTK-së, Fadil B.Hoxha.