OJQ-të i kërkojnë Abelard Tahirit të mos emërojë asnjë noter

Organizatat e shoqërisë civile në vend kanë kërkuar nga ministri në largim, Abelard Tahiri që mos ta bëjë emërimin e asnjë noteri të ri.

OJQ-të kanë deklaruar se i besojnë raportimeve në media që disa nga kandidatët nuk i kanë plotësuar as kushtet formale për t’iu nënshtruar provimit të noterisë.

“Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve ka rezultuar në një listë të përbërë nga familjarë dhe njerëz të ndërlidhur me Partinë Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës është vetë ministri në largim Tahiri, si dhe të partive tjera politike nga i gjithë spektri politik. Lista po ashtu përmban persona të ndërlidhur ngushtë me disa nga anëtarët e Komisionit për Dhënien e Provimit për Noterinë, duke nxitur edhe më shumë dyshime rreth konfliktit të interesit në mes të anëtarëve të komisionit dhe kandidatëve për noterë dhe mundësisë së rrjedhjes së informatave për të favorizuar disa kandidatë”, thuhet në reagim.

Organizatat kanë shtuar se ministri në largim Tahiri nuk ka edhe legjitimitet që të marrë vendim kaq të rëndësishëm me pasoja afatgjate në ditët e fundit të mandatit të tij.

“Për arsyet e lartëpërmendura kërkojmë që ministri në largim Abelard Tahiri të mos emërojë asnjë noter nga lista aktuale e kandidatëve për noterë”, thuhet në reagim.

Organizatat e shoqërisë civile që kanë bërë këtë reagim janë: ÇOHU!, Columbus, Demokraci për Zhvillim (D4D),Demokracia Plus (D+),Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF),Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Iniciativa për Progres (INPO), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI),Instituti EPIK, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL.

Në anën tjetër, përmes një komunikate për shtyp, ministria e drejtësisë njofton se ka pranuar opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, përmes së cilit është konstatuar se nuk ka pasur konflikt të mundshëm të interesit në procesin e provimit të noterisë.