Sot paraqitet edhe Presidenti Thaçi

Më shumë se 16 orë pas mbylljes së kutive të votimit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar qytetarët e Kosovës për ecurinë e zgjedhjeve të djeshme të jashtëzakonshme parlamentare.

Reagimi i Presidentit të vendit vjen pasi për zgjedhjet u deklaruan edhe liderë të shteteve tjera, siç është rasti me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, dhe kryeministri Edi Rama.

Thaçi nuk ka uruar fituesin e zgjedhjeve ndërsa ka kërkuar ‘pjekuri politike’ për formimin e qeverisë së re.

“I uroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik. Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tash të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”, tha Thaçi në postimin e tij në Facebook.